Emisioni “Pro Business” në Tv Klan këtë të shtunë u ndal në pjesën e dytë tek të rejat që vijnë nga panairi i punës i zhvilluar në Athinë me moton: “Puno dhe jeto aty ku ke zemrën”.

E ftuar në studio ishte sipërmarrësja Suzana Aga, e cila ka qenë prezent në këtë panair, ku dhe ka ofruar një pamje të qartë dhe të ndërgjegjshme të tregut të punës në Shqipëri dhe pritshmërive që lidhen me panairin e punës në Athinë.

Ajo thekson se për të kapërcyer sfidat dhe për të shfrytëzuar mundësitë është e nevojshme një bashkëpunim i ngushtë midis kompanive, punonjësve dhe shtetit. Kjo nismë nuk është vetëm një hap drejt rritjes ekonomike, por edhe një mundësi për të kthyer Shqipërinë në një destinacion tërheqës për talentet dhe profesionistët, si nga diaspora shqiptare ashtu edhe nga të huajt.

Në intervistën me gazetaren Oljana Maloku, Aga thekson rëndësinë e këtij panairi si një hap vizionar për të inkurajuar shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë, jo vetëm në Greqi, por edhe në shtete të tjera, që të kthehen dhe të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit.

Aga vë në dukje se Shqipëria ka nevojë të madhe për profesionistë të kualifikuar, veçanërisht në sektorët e turizmit, ndërtimit dhe industrisë. Ajo thekson se problemi më i madh nuk është mungesa e punonjësve, por mungesa e “trurit” të shoqërisë, individëve me diploma dhe profesione të specializuara.

Megjithatë, ajo beson se kjo sfidë nuk është e pamundur për t’u kapërcyer, veçanërisht nëse Shqipëria ofron kushte konkurruese dhe mbështetje nga shteti.

Në intervistë, Aga diskuton edhe rritjen e numrit të punonjësve të huaj në Shqipëri, veçanërisht në sektorët e turizmit, ndërtimit dhe fabrikave. Ajo thekson se shqiptarët janë të kërkuar në shtete si Gjermania dhe Italia për shkak të kulturës së tyre të punës dhe zgjuarsisë.

Megjithatë, ajo vë në dukje se Shqipëria po bëhet gjithnjë e më tërheqëse edhe për të huajt, veçanërisht për ata që kërkojnë mundësi për karrierë dhe jetesë të qëndrueshme./tvklan.al