Pas perfomancës së tij, Adi Krasta paralajmëroi Fortunaton për “showdown-in”. Në këtë natë të 12-të live të “X Factor Albania” në Tv Klan gara bëhet më fortë dhe të gjithë artistët synojnë të njëjtën gjë, fitoren.
Por, rregullat e spektaklit janë të tilla që në përfundimin e një çdo nate një prej artistëve në bazë të votave të jurisë e publikut duhet të lërë në mes garën dhe të vazhdojë më pas rrugëtimin e tij drejt realizimit të ëndrrës në tregun muzikor.
Të dy të ardhur nga Italia, Salvatore dhe Fortunato mund të kishin pritur gjithçka, por jo këtë përballje me njëri-tjetrin. Ata shprehen se kanë qenë si vëllezër, krah për krah në këtë rrugëtim të vështirë. Megjithatë duhet të pranojnë vendimin e publikut. Sa i takon jurisë secili dha verdiktin e tyre për secilin konkurrentët, kurse mentorët e tyre, Zerka dhe Malaj patën disa fjalë më shumë për Salvatoren e Fortunaton.
“Te dyja performanca finaliste, më vjen keq që i shoh në këtë pozicion”, tha Zerka duke votuar për Salvatoren.
“Konkurrenti i vetëm që ka më shumë fansa”, tha Malaj për Fortunaton.
Në këtë përballje “titanësh”, të zgjedhësh më të mirin ishte jo pak e vështirë, por publiku vendosi që t’i jepte një mundësi tjetër Salvatores, duke bërë që Fortunato të ndërpriste rrugëtimin e tij në “X Factor”.
Pas vendimit të publikut e jurisë Fortunato pati dy fjalë të fundit.
“Mendoja që do të ikja që javën e tretë, jam në javën e 12-të. Unë kam fituar!”, tha ai./tvklan.al