Teksa një pjesë zgjedhin të festojnë, të tjera gra protestuan këtë 8 Mars. Me thirrje për më shumë barazi e fuqizim, gra dhe vajza marshuan në Tiranë.
“Për të kërkuar të drejta të barabarta të cilat i kemi fituar gjatë këtyre viteve dhe nëse nuk i kujtojmë çdo ditë mund t’i humbasim”, tha një qytetare.
“Për të parë një botë që ka më shumë solidaritet kundër patriarkatit”, tha një tjetër.
Kërkohet edhe më shumë ndërgjegjësim për dhunën ndaj grave.
“Stop dhunës për gratë e shkreta që nuk e ngrejnë dhe aq sa duhet zërin në fakt”, tha një tjetër.
Pjesë e kësaj proteste në mbështetje të grave dolën edhe djem dhe burra.
“Kjo është një çështje e gjithë shoqërisë, jo vetëm e grave. Është ditë për të treguar se ka gjëra që nuk shkojnë mirë me barazinë gjinore, me emancipimin në përgjithësi të shoqërisë”, tha një i ri.
“Duam një fuqizim real të grave, jo një fuqizim ku në fasadë duket sikur janë të lira. Janë gjysma më e mirë e shoqërisë sepse japin edhe jetën”, tha një tjetër.
Nuk munguan as të huajt. Këto vajza janë nga Franca, atje ku 8 Marsi nuk shihet si festë me lule e dhurata, por një ditë mobilizimi për të drejtat e grave.
“Në Francë gratë thonë që nuk duan lule por më shumë të drejta. Është shumë ndryshe nga Parisi sepse atje ka shumë më shumë njerëz që dalin në protestë”, tha njëra prej tyre.
Dita Ndërkombëtare e Grave e ka zanafillën tek greva e punonjësve të tekstilit në New York në vitin 1908, kur gratë dolën në rrugë për paga të drejta dhe kushte më të mira pune.
Tv Klan