Të paktën 34 njerëz kanë vdekur në SHBA, pasi tornadot vdekjeprurëse goditën disa shtete juglindore, duke rrafshuar shtëpitë. 12 persona humbën jetën në Misuri, ndërsa në Kansas 8, pasi më shumë se 55 automjete u përfshinë në një aksident.

Të paktën 250,000 shtëpi kanë mbetur pa energji elektrike në 7 shtete duke përfshirë Miçigan, Misuri dhe Ilinois. Erërat ekstreme deri në 97 km/h u regjistruan në Tenesi, ndërsa në Arkansas humbën jetën 3 persona dhe 29 u plagosën. 

Agjencia e menaxhimit të emergjencave të Misurit konfirmoi se 19 tornado goditën 25 qarqe, duke shkaktuar dëme katastrofike. Guvernatori i Misisipi-t, Tate Reeves, u bëri thirrje njerëzve për evakuim duke e përshkruar situatën si veçanërisht të rrezikshme. Gjithashtu për shkak të motit të keq, guvernatori i Xhorxhias shpalli gjendjen e jashtëzakonshme.

Autoritetet kanë lëshuar paralajmërime për përmbytje në Misisipin qendror, Luizianën lindore dhe Tenesin perëndimor; si dhe pjesë të Alabama dhe Arkansas. Ndërkaq stuhitë shkatërruese ndezën më shumë se 100 zjarre në disa shtete.

Në Oklahoma, një nga ato zjarre, i njohur si Zjarri 840 Road, ka djegur tashmë 27,500 hektarë dhe mbetet ende i pakontrolluar, sipas Shërbimit Pyjor të Oklahomas. Agjencia ka lëshuar një paralajmërim duke sinjalizuar rrezik të madh nga zjarri.

Moti i keq pritet të vazhdojë në të gjithë Luizianën lindore, Xhorxhian perëndimore, Tenesin qendror dhe Florida perëndimore. Në vitin 2024, 54 njerëz humbën jetën në incidente të lidhura me tornado.

Klan News