Në kufirin SHBA-Kanada, puna e Corey Fram është bërë shumë më e vështirë.
Fram është drejtor i Këshillit Ndërkombëtar të Turizmit të 1000 Ishujve, i cili promovon një destinacion natyror me kështjella, kroçera, ecje dhe peshkim që pëlqehen nga kanadezët dhe amerikanët.
Por politikat e fundit të presidentit amerikan Donald Trump ndaj Kanadasë i kanë shqetësuar të gjithë.
“Kemi vënë re se shumë nga vizitorët tanë, veçanërisht kanadeze, janë mjaft të zemëruar. Ata janë të lënduar nga ajo që e konsiderojne si politike dhe retorikë sulmuese. Nga ajo që po dëgjoj, dhe kam biseduar me profesionistë të udhëtimit , shume po zgjedhin mos të vizitojnë Shtetet e Bashkuara. Kjo është një sfidë për ne këtu, sepse bie ndesh me mënyrën sesi ne e kemi jetuar gjithmonë jetën tonë dhe e kemi promovuar veten si një destinacion i vetëm”, thotë Fram.
Duke parë flamujt kanadezë dhe amerikanë të valëvitur shpesh krah për krah, dikur udhëtarëve nuk u interesonte se në cilën anë të kufirit ishin. Tani, me retorikën e fundit të Trump, Corey po përpiqet të rregullojë imazhin duke përçuar mesazhe jo negative.
“Ne kemi qenë shumë të kujdesshëm për të mos transmetuar dhe demonstruar asetet e SHBA-së për audiencën kanadeze dhe asetet kanadeze për audiencën amerikane, sepse kur e kemi bërë këtë, ne kemi zbuluar se kjo ka ndikuar negativisht. Ne nuk duam të cenojmë partnerët tanë dhe destinacionin tonë në këtë mënyrë”, thotë Fram.
Kanadezët janë tronditur nga veprimet dhe fjalët e Trump që kur u kthye në Shtëpinë e Bardhë.
Disa biznese po largojnë produktet amerikane nga raftet e tyre, madje edhe para sulmit të fundit të Trump, kur ai rriti tarifat në 50% për çelikun dhe aluminin kanadez të importuar.
Rezervimet e reja për në Shtetet e Bashkuara nga Kanadaja kanë rënë me rreth 20% që nga 1 Shkurti krahasuar me periudhën e një viti më parë, sipas Forëard Keys, një kompani e fluturimeve.
Asnjë udhëtar tjetër nuk shkon në Shtetet e Bashkuara më shumë se kanadezët, e cila shënoi 20.4 milionë vizita në 2024. Udhëtarët kanadezë gjithashtu shpenzojnë tre herë më shumë për pushime sesa udhëtarët vendas amerikanë.
“Mendoj se batutat e vazhdueshme për aneksimin e Kanadasë, Kanadaja është shteti i 51-të, dhe që bëhen deklarata nga liderë politikë të nivelit shumë të lartë, thjesht të lënë një shije jo të mirë. Gjithmonë e shihja SHBA-në si aleatin tonë, por tani atë retorike shoh si një kërcënim shumë të rëndë”, tha Zina Oukil, turiste kanadeze.
Ajo shprehet se shumë kanadezë po kthejnë sytë drejt Europës.
“Në vend që të udhëtojmë në SHBA, ne i kemi vënë sytë drejt destinacioneve të Evropës, por edhe drejt Meksikës”, tha Zina Oukil.
Prenotimet e hoteleve në Bellingham, një qytet bregdetar pranë kufirit kanadez që ofron ski dhe tragete për në Alaskë, ranë 10.8% nga 2 Shkurti deri më 1 Mars. Rezervimet në Niagara Falls, Nju Jork, ranë 8.1% gjatë të njëjtës periudhë.
Kanadezët nuk janë udhëtarët e vetëm që tërhiqen nga SHBA. Rezervimet nga Danimarka dhe Gjermania u ulën përkatësisht me 27% dhe 15% nga viti në vit, sipas Forward Keys. Kërkesa nga Europa në tërësi ka rënë vetëm pak me 1%.
“Unë udhëtoj shumë për punë. Unë ende ngas makinën time të prodhuar në Amerikë. Por po, mund të ketë ndikim kur gjërat bëhen më të shtrenjta, padyshim”, tha Raz Matus, turist nga Toronto.
“Unë jam një qytetar amerikan, por kam 30 vjet që jetoj në Zelandën e Re, kështu që të kthehem këtu është në rregull për mua”.
Një rënie prej 10% e udhëtarëve kanadezë mund t’i kushtojë Shteteve të Bashkuara 2.1 miliardë dollarë shpenzime të humbura, vlerëson Shoqata e Udhëtimit të SHBA.
Administrata Trump do t’u kërkojë të gjithë të huajve në SHBA të regjistrohen dhe të dorëzojnë shenjat e gishtërinjve duke filluar nga 11 Prilli nëse qëndrojnë përtej 30 ditëve. Kanadezët nuk përjashtohen, edhe pse zakonisht mund të vizitojnë SHBA-në deri në gjashtë muaj pa vizë.
Klan News