Presidenti amerikan Donald Trump ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që synon shkurtime të mëdha në shtatë agjenci federale përfshirë Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Media Globale, e cila financon disa transmetues siç është Zëri i Amerikës dhe Radio Europa e Lirë.
Urdhri i nënshkruar në orët e vona të 14 marsit, shënjestron edhe agjenci që merren me të pastrehët, mosmarrëveshjet në punë dhe zhvillimin e komunitetit.
“Brenda shtatë ditëve prej datës së këtij urdhri, kreu i secilit entitet qeveritar që është renditur në këtë urdhër duhet t’i dorëzojë një raport drejtorit të Zyrës për Menaxhim dhe Buxhet, për të konfirmuar zbatimin e plotë të këtij vendimi”, bëri të ditur Shtëpia e Bardhë.
Disa orë pas publikimit të urdhrit ekzekutiv, mediat publikuan një letër nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Media Globale, ku thuhej se granti i miratuar nga Kongresi për financimin e saj është ndërprerë.
Letra u nënshkrua nga ish-spikerja e lajmeve, Kari Lake, e cila ushtron detyrën e shefes ekzekutive të agjencisë.
Menjëherë pas publikimit të këtij urdhri, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve u kërkoi udhëheqësve të Kongresit që ta mbrojnë Agjencinë nga urdhri i Trumpit.
Agjencia e SHBA-së për Media Globale është agjenci e pavarur qeveritare e SHBA-së që financon media që transmetojnë në pothuajse 50 gjuhë, sikurse është Zëri i Amerikës, Radio Europa e Lirë, Radio Azia e Lirë, Zyra e Kubës, Rrjeti i Transmetuesit për Lindje të Mesme dhe Fondi i Teknologjisë së Hapur.
Tv Klan