Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, akuzoi kryedemokratin Sali Berisha nga salla e Kuvendit, se ka paguar 500 mijë Euro një zyrë avokatore në Londër, e cila në fakt mbron kriminelë serbë kundër UÇK-së. Deklarata e tij erdhi pas debateve të shumta në Kuvend në lidhje me rastin e Erion Veliajt.
“Jepi përgjigje popullit dhe thuaji ku i ke gjetur ti 500 mijë. Meqë pyete Ulsiun për 500 mijë euro. Ku i ke paguar ti Sali 500 mijë euro në Londër të zyra avokatore Zaiwalla & Bricore Chambers? Zyra avokatore që mbrojnë kriminelët serbë kundër UÇK-së, thuaji shqiptarëve ku i ke gjetur këto 500 mijë euro meqë ia kujton Ulsiut. Nuk paguan qeveria shqiptare fatura avokatie. PS e Shqipërisë ka vendosur dhe do të vazhdojë të ketë standard. Çdo person që do të përballet me drejtësinë avokatin ta paguajë vetë dhe të merret vetë. Por prezumimi i pafajësisë është element kryesor”, i tha Balla Berishës në Kuvend.
Berisha reagoi ndaj tyre jashtë sallës së parlamentit, në një komunikim me gazetarët. Ai tha se çdo qindarkë e paguar nga ai është bërë në rrugë ligjore, përmes bankës dhe është e deklaruar. Sa i përket Ballës, Berisha tha për të se është “prostitutë politike” dhe ka përdorur bandat për të burgosur kundërshtarët e tij politikë.
“Çdo qindarkë e paguar për të bërë transparencë nga unë dhe familja ime është bërë në rrugë bankare. Çdo qindarkë është deklaruar në ILDKPI. Çdo qindarkë është tatuar dhe e ardhur nga burime të ligjshme dhe të deklaruara. Paratë e pahguara nuk vijnë nga biznese që ditën fitojnë tendera dhe natën derdhin ryshfete në llogaritë e Jolkës dhe Erjonkës. Nuk është bërë apo të Edit apo të Lindës. Nuk është bërë me eurot apo fondet e taksapaguesve europianë, apo amerikanë që përfundojnë në fustanet e Jolkës, në orgjitë e Erionit. Nuk janë paratë e inceneratorit që nuk ekziston, të grabitura nga Edi rama dhe erion veliaj. Nuk janë as paratë e checkup që lenë pa ilaçe të sëmurët malinjë. Nuk janë paratë e sterilizimit të grupit të strukturuar kriminal me në krye Edi Ramën. Nuk janë paratë që Edi Rama përmes duçkove të tij i jep për të korruptuar McGonigal. Nuk janë as nga lidhjet me bandën e Elbasanit që përdor Taulant Balla, kjo prostitutë politike për të burgosur kundërshtarët e tij politikë. Kjo është deklarata lidhur me atë që tha njeriu me 5 mbiemra të cilit prapë unë ia kam lexuar, do ia lexoj, sepse është minierë në botën e nëndheshme”, tha Berisha./tvklan.al