Dhoma e Përfaqësuesve mori masa reale javën e kaluar në SHBA teksa kaluan një projektligj që mund të ndalojë TikTok-un në të gjithë vendin. Për këtë duhet pritur edhe vendimi i Senatit, megjithatë fakti që u mor një hap i tillë, tregon rrezikun që ndjejnë amerikanët përballë këtij aplikacioni. E për këtë arsye ka reaguar Kina e cila e ka dënuar projektligjin në fjalë duke e cilësuar si të padrejtë.
Amerikanët i frikësohen faktit se aplikacioni zotërohet nga një kompani kineze. Zyrtarë, politikanë apo administrata të ndryshme në Perëndim janë të ndaluar që ta instalojnë aplikacionin në celularët e tyre të punës. Por cilat janë shqetësimet më të mëdha rreth TikTok-ut dhe si i është përgjigjur kompania atyre? Këto përgjigje na i jep BBC në një artikull.
1.TikTok-u mbledh sasi të mëdha të dhënash
TikTok-u vetë thotë se mbledhja e të dhënave është në një linjë me praktikat e përdorura në këtë industri. Por kritikët e kanë akuzuar shpesh kompaninë për mbledhjen e sasive të mëdha të të dhënave. Në një raport për sigurinë kibernetike të publikuar në vitin 2022 nga Internet 2.0, një kompani australiane, kjo citohet shpesh si provë.
Kërkuesit studiuan kodin e burimit të aplikacionit dhe raportuan se ai “korr” sasi të mëdha të dhënash. Analistët shprehen se TikTok-u mbledh detaje si vendndodhja, në çfarë pajisje specifike po përdoret dhe cilat aplikacione të tjera janë në të.
Sidoqoftë sipas një testimi të ngjashëm të kryer nga Citizen Lab, në krahasim edhe me platformat e tjera të rrjeteve sociale, TikTok mbledh lloje të ngjashme të dhënash për të gjurmuar sjelljen e përdoruesve.
2.TikTok mund të përdoret nga qeveria kineze për të spiunuar mbi përdoruesit
TikTok-u thotë se kompania është plotësisht e pavarur dhe nuk i ka dhënë asnjë të dhënë mbi përdoruesit qeverisë kineze, e as nuk do ta bëjë nëse i kërkohet. Pavarësisht se kjo i mërzit ekspertët e privatësisë, shumica prej nesh duhet të pranojnë se të aprovimi për të dhënë të dhëna personale është një marrëveshje që ne e bëjmë vetë me rrjetet sociale.
Në shkëmbim për të na dhënë shërbimet e tyre pa pagesë, ata mbledhin informacione mbi ne dhe i përdorin për të shitur reklama në platformat e tyre, ose t’i shesin të dhënat tona firmave të tjera për t’u përpjekur që të na shfaqin reklama diku tjetër në internet.
Problemi që kritikët kanë me TikTok-un është se zotërohet nga gjiganti teknologjik ByteDance që është i vendosur në Pekin. Facebook, Instagram, Snapchat dhe YouTube për shembull mbledhin të njëjtën sasi të dhënash, por janë kompani amerikane. Për vite, ligjvënësit amerikanë, së bashku me pjesën më të madhe të botës, kanë marrë besimin se të dhënat e mbledhura nga këto platforma nuk do të përdoren për arsye të këqija që mund të venë në rrezik sigurinë kombëtare.
Urdhri ekzekutiv i Donald Trump në vitin 2020 pretendonte se mbledhja e të dhënave të TikTok potencialisht mund të lejojë Kinën të gjurmojë vendndodhjet e punonjësve federalë dhe kontraktorëve të tyre, të ndërtojë dosje të informacioneve personale për shantazh dhe të kryejë spiunazh.
Deri më tani provat tregojnë se ky është vetëm një rrezik teorik, por frika nxitet nga një pjesë e paqartë e një ligji të miratuar në Kinë në vitin 2017. Neni i shtatë i Ligjit të Inteligjencës Kombëtare të Kinës thotë se të gjitha organizatat dhe qytetarët kinezë duhet të “mbështesin, ndihmojnë dhe bashkëpunojnë” me përpjekjet e inteligjencës së vendit.
Që nga viti 2020, drejtuesit e TikTok-ut janë përpjekur vazhdimisht të sigurojnë njerëzit se stafi kinez nuk mund të ketë akses në të dhënat e përdoruesve jo kinezë. Në vitin 2022, ByteDance pranoi se disa nga punonjësit e saj në Pekin kishin akses në të dhënat e të paktën dy gazetarëve në SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar për të gjurmuar vendndodhjet e tyre dhe për të kontrolluar nëse ata po takoheshin me punonjës të TikTok të dyshuar për rrjedhje informacioni në media. Zëdhënësja e TikTok tha se ata punonjës u pushuan nga puna.
TikTok thotë se të dhënat e përdoruesve nuk janë ruajtur kurrë në Kinë dhe se po ndërton qendra të dhënash në Teksas për të dhënat e përdoruesve të SHBA-së. Në BE, TikTok ka regjistruar një kompani të pavarur të sigurisë kibernetike për të mbikëqyrur të gjithë përdorimin e të dhënave në faqet e saj europiane.
3.TikTok mund të përdoret për “lavazh truri”
TikTok argumenton se udhëzimet e saj e ndalojnë keqinformimin që mund të shkaktojë dëm në komunitete apo publik më të gjerë
“Qeveria kineze mund të kontrollojë algoritmet e rekomandimeve çka mund të përdoret për operacione influence”, tha Christopher Wray, drejtori i FBI-së në Nëntor 2022.
Shqetësimet vijnë pasi simotra e TikTok në Kinë, Douyin, i cili është i disponueshëm vetëm në Kinë, është shumë i censuruar dhe thuhet se është projektuar për të inkurajuar materiale edukative dhe të shëndetshme që bëhen virale për bazën e vet tek përdoruesit e rinj.
Të gjitha rrjetet sociale janë shumë të censuruara në Kinë. BBC shkruan se atje ka një “ushtri” që fshin përmbajtje që kritikon qeverinë ose nxit trazira politike. Në fillim të TikTok-ut një përdoruesi në SHBA iu pezullua llogaria pas diskutimit për trajtimin e myslimanëve nga Pekini në Xinjiang. Pas një reagimi të ashpër publik, TikTok kërkoi falje dhe riktheu llogarinë.
Pas studimit të TikTok dhe Douyin u arrit në përfundimin se TikTok nuk përdor të njëjtën censurë politike. Analistët kërkuan tema si pavarësia e Tajvanit ose shaka ndaj Presidentit kinez, Xi Jinping dhe ato ishin më të lehta për t’u gjetur në TikTok.
Rreziku teorik
Pamja e përgjithshme është tek rreziku teorik. Kritikët argumentojnë se TikTok është një “kalë Troje”, pavarësisht se duket i padëmshëm, por që mund të provojë të jetë një armë e fuqishme gjatë kohëve me konflikte për shembull.
Aplikacioni është ndaluar në Indi, pasi ky vend mori veprime në vitin 2020 ndaj këtij aplikacioni dhe dhjetëra platformave të tjera kineze. Por një ndalim në SHBA mund të ketë një ndikim tek TikTok pasi edhe aleatët Perëndimorë i ndjekin hap pas hapi këto vendime.
Kjo ishte e dukshme kur SHBA kërkoi të bllokohej gjiganti kinez i telekomit Huawei për të vendosur infrastrukturën 5G, përsëri bazuar në rreziqe teorike. Ia vlen të theksohet se këto rreziqe janë të një rruge njëkahëshe. Kina nuk shqetësohet për aplikacionet amerikane sepse qasja për qytetarët kinezë është bllokuar prej shumë vitesh.
Shkrim nga BBC
Përshtati në shqip Gramoz Pisha, Tvklan.al