Ambasada amerikane në Kosovë është shprehur e shqetësuar për atë që e konsideron mbyllje të papritur edhe të pakoordinuar të Qendrave për punë sociale, të drejtuara nga Serbia në pjesën veriore të Kosovës.
“Këto dhe veprime të ngjashme ndikojnë negativisht në mijëra qytetarë të Kosovës dhe rrezikojnë të krijojnë pasoja negative për të ardhmen e Kosovës në Evropë dhe marrëdhëniet tona dypalëshe”, deklarohet nga Ambasada e SHBA në Kosovë.
Një ditë më parë reagoi edhe Bashkimi Evropian që i ka bërë thirrje Kosovës që të mos i mbyllë këto struktura dhe që për statusin e tyre të diskutohet në tryezën e dialogut me Serbinë.
Një zëdhënës i Komisionit Europian u shpreh se BE-ja është në dijeni për operacionin e zhvilluar nga Policia e Kosovës dhe misioni i saj për sundim të ligjit në Kosovë, EULEX po e monitoron situatën në pritje të detajeve te tjera.
“As institucionet e shëndetësisë dhe edukimit të mbështetura nga Serbia, e as strukturat e tjera të mbështetura nga Serbia që ofrojnë shërbime bazike sociale nuk duhet të mbyllen”, thotë BE.
Autoritetet e Kosovës mbyllën të premten 4 objekte të dyshuara se aty janë kryer “veprime të paligjshme lidhur me procesin zgjedhor të 9 Shkurtit duke falsifikuar dokumente”.
Tv Klan