Hetimet ndaj kryetares së Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka janë bërë shkak debati në mbledhjen e kësaj të marte.
Ligjvënësja socialiste nuk mori pjesë në mbledhje, e për këtë arsye punimet e komisionit u drejtuan nga nënkryetari Eduard Ndreca.
Deputeti i PD, Dashnor Sula, kërkoi që anëtarët e komisionit të opozitë dhe mazhorancës të dalin në një deklaratë të përbashkët për t’u distancuar nga Klotilda Bushka.
“Të kemi një deklaratë apo një prononcim që të distancohemi nga kjo sjellje që ka bërë Kryetarja e Komisionit të Ligjeve sepse ka dëmtuar rëndë imazhin e Komisionit të Ligjeve”, tha fillimisht Dashnor Sula.
Sula tha se drejtësia po sulmohet nga qeveria.
“Të sulmohet drejtësia në mënyrën më të tmerrshme në këtë lloj formati kush e bën, kush e bën, e bëjnë njerëz me pushtet dhe qasja juaj është djallëzore qysh nga muaji Mars i vitit të kaluar me ngritje komisionesh dhe shumë gjëra të tjera”, tha Sula.
Propozimi i deputetit demokrat nuk u mbështet nga aleati i PD.
“Kjo hedhje baltë pafund dhe ky diskutim pa sens, etj, jo vetëm ka filluar të degjenerojë sistemin politik në Shqipëri, por ka bërë që njerëzit të fillojnë të largohen nga qasja që duhet të kenë me proceset demokratike. Kështu që po e them, edhe pse jam opozitar, do urreja të bëja qoftë prokurorin, qoftë gjytarin, por qoftë dhe anëtarin e Byrosë Politike. Nuk kam për ta pranuar ndonjëherë”, tha Mediu.
Socialisti Toni Gogu tha se e vetmja deklaratë që Komisioni mund të bëjë është distancimi nga deklaratat e kryetarit të PD, Sali Berisha, për shkrirjen e SPAK.
“Komisioni i Ligjeve mund të bënte vetëm një deklaratë për t’u shkëputur njëherë e mirë nga ato prononcime të bëra nga kreu i opozitës se do të quhej tradhtari më i madh i shqiptarëve nëse nuk do shkrinte SPAK-un”, tha Gogu.
Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, po hetohet nga SPAK për kryerje të veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës në lidhje me dosjen e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj dhe bashkëshortes së tij.
Klan News