I larguar që prej vitit të kaluar nga Partia Demokratike, deputeti Agron Shehaj shpalli krijimin e forcës më të re politike në vend, duke e pagëzuar atë me emrin “Mundësia”.

Nga konventa themeluese, Shehaj tha se formacioni më i ri politik i djathtë që ai përfaqëson synon t’u japë një mundësi të re shqiptarëve, duke u ndarë nga trashëgimia e tre dekadave të fundit.

“Për të gjithë ata që kërkojnë të përfaqësohen nga një mundësi e re, nga një parti demokratike, partia mundësia është shtëpia juaj. Vendosim të mos prisnim më, të krijonim një lëvizje politike që nuk kishte asnjë lidhje me çfarë kemi parë 30 vjet në Shqipëri”.

Betejën tha se do ta nisë nga lufta me korrupsionin, që sipas Shehajt vijon të jetë ende problem kryesor në Shqipëri për shkak të politikës.

“Jam i bindur që do ja dalim të kemi një qeveri të pa korruptuar. Askush nuk mund të vendosë nëse ne do ja dalim apo jo, të na pengojë për t’i dhënë fëmijëve tanë një jetë më të mirë”.

Kjo lëvizje e Agron Shehajt vjen në një kohë kur demokratët janë ndarë në tre grupe, një pjesë e të cilëve udhëhiqen nga ish-Kryeministri Berisha dhe një pjesë tjetër mbështesin Lulzim Bashën.

Agron Shehaj u zgjodh deputet për herë të parë në vitin 2017 dhe pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të 25 Prillit të vitit 2021, në 13 Qershor ai garoi për kreun e Partisë demokratike përballë Lulzim Bashës, ku humbi.

Tv Klan