Kjo mund të jetë hera e fundit, që drejtuesit e partive më të reja të skenës politike shqiptare janë ulur të gjithë bashkë si këtu në studion e “Opinion” të Blendi Fevziut.

Prej disa ditësh mes tyre kanë nisur përplasjet, duke nxjerrë në pah ethet e hershme të fushatës elektorale. Përballja më e fortë duket se është ajo mes Adriatik Lapajt të Lëvizjes “Shqipëria Bëhet” dhe Agron Shehajt, themelues i partisë “Mundësia”.
Përplasja ka nisur në rrjetet sociale ku akuzojnë njeri-tjetrin për bashkëpunim me kompani të sekuestruara nga SPAK apo si njerëz anonimë që kanë hyrë në politikë dhe bëjnë revolucionarin. Fillimisht, në një video të postuar në Faceobook, Adriatik Lapaj, tha se i shtrinte dorën Shehajt për të bashkëpunuar pavarësisht se atë e shihnin si biznesmen dhe nuk e ndiqnin njerëzit.

I menjëhershëm ishte reagimi i deputetit Agron Shehaj, i cili e akuzon Lapajn si pjesë të sistemit të gjyqtarëve të korruptuar dhe avokatëve sekserë që u kanë nxirë jetën shqiptarëve. Shehaj publikoi edhe një kontratë të një kompanie, për të cilën tha se është sekuestruar nga SPAK, me Adriatik Lapajn, në rolin e avokatit, që ka marrë një pagesë prej 4.5 milionë Lekë.
“Ti ke qenë dhe je pjesë e këtij sistemi Adriatik. Unë jam si ata qindra mijëra shqiptarë që kanë vuajtur këtë shtet të korruptuar, këtë sistem të padrejtë, atë drejtësi të korruptuar ku ti ke ngrënë Adriatik. Kjo është diferenca midis teje dhe meje. Adriatik unë jam i pakapshëm”, tha Agron Shehaj.
Replikën e ka vijuar Lapaj, i cili sqaron se në rolin e avokatit duhet të mbrojë ata që shkelin ligjin, ndërsa për kontratën në fjalë tha se megjithëse e ka bërë punën e tij, pagesën nuk e ka marrë ende.
Me afrimin e ditës së zgjedhjeve, pritet që përballja të jetë më e fortë për partitë që synojnë të afrojnë sa më shumë votues në këtë garë të parë elektorale, ku duket se kanë harruar që betejën e kanë me partitë e mëdha.
Klan News