Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka miratuar strategjinë mbështetëse për vendin tonë për vitet e ardhshme. Sipas Zv/Presidentit të BERZH, Matteo Patrone fokusi do të jetë tek energjia e rinovueshme, mbështetja e sektorit privat e sidomos për sipermarrjet e vogla dhe të mesme.
“Bordi ynë ka miratuar strategjinë tonë për 5 vitet e ardhshme për Shqipërinë dhe kjo strategji fokusohet në tre fusha. Njëra, është tranzicioni energjetik dhe diskutuam se ky është jashtëzakonisht i rëndësishëm, pra, zhvillimi i energjisë së rinovueshme. Vendi tashmë është pozicionuar mirë në këtë drejtim dhe ne duhet të vazhdojmë të punojmë për këtë. Gjithashtu kjo mbështetje është e rëndësishme sepse ndihmon në tërheqjen e investimeve për këtë sektor. Fusha e dytë është të ndihmojë sektorin privat që të përgatitet për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Kjo do të thotë përmirësimi i mënyrës së të bërit biznes dhe kjo është pikërisht ajo që ne kemi bërë në shtete të tjera dhe duam ta bëjmë edhe në Shqipëri dhe do të vazhdojmë ta bëjmë si nëpërmjet financimit ashtu edhe nëpërmjet asistencës teknike në veçanti për Sipërmarrjet e Vogla dhe të Mesme Dhe fusha e tretë është zhvillimi i infrastrukturës dhe përmirësimi i klimës së investimeve në vend”, shprehet Matteo Patrone, Zv/President i BERZH për Banking.
Përfaqësuesi i lartë i BERZH ndër të tjera nënvizon se sektori i turizmit në vendin tonë mbetet një nga kontribuesit kryesore të ekonomisë së vendit, kjo edhe falë bumit të vizitorëve gjatë viteve të fundit.
“Nga bisedat e mia si me përfaqësues të autoriteteve, por edhe me bashkëpunëtorët tanë dhe palët e interesuara private, duket qartë se sektori i turizmit po rezulton si një nxitës dhe motor i rritjes ekonomike. Mendoj se ka disa përllogaritje që e vendosin sektorin e turizmit në 25% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vend dhe prandaj është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe nuk duhet të tregohemi neglizhent. Ne kemi një qasje të qartë se si të mbështesim qeverinë për sektorin e turizmit edhe rëndësinë e tij në ekonomi. Siç kemi bërë me sektorin publik nëpërmjet zhvillimit të infrastrukturës në përgjithësi dhe infrastrukturës logjistike në veçanti siç janë edhe projektet që lidhen me rrjetin hekurudhor. Por edhe në sektorin privat kemi punuar të mbështesin investitorët e mëdhenj. Gjithashtu kemi kontribuar edhe për sipërmarrjet e vogla dhe të mesme që punojnë në sektorin e turizmit, përmes sektorit bankar dhe gjithashtu përmes projekteve tona të asistencës teknike për të rritur aftësitë dhe formimin profesional për njerëzit që punojnë në sektorin e turizmit”, thotë Matteo Patrone.
Vetëm gjatë vitit të kaluar Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka investuar 200 milionë Euro në vendin tonë në projekte të ndryshme, një rritje prej më shumë se 30% krahasuar me vitin 2023.
Klan News