Karlo Ançeloti e ka bërë të qartë se do të largohet nga Real Madridi vetëm nëse shkarkohet. Në Spanjë po raportohet se drejtuesit e “Los Blankos” duan të sjellin në “Bernabeu”, Shabi Alonson.

Tekniku i Leverkusenit ka qenë prej kohësh favoriti për të zëvendësuar italianin dhe ai mund të marrë drejtimin që në fillim të kësaj vere, pavarësisht se 65-vjeçari këmbëngul se ai nuk ka në plan të largohet.

Të dy trajnerët kanë kontrata me klubet respektive deri në mesin e vitit 2026. Por CEO i Leverkusenit, Fernando Karro tha se pret që spanjolli të qëndrojë edhe në sezonin e ardhshëm. Edhe Ançeloti i ka të qarta idetë për të ardhmen e tij.

“Nuk e di se kur do të largohem! Nuk e vendos unë! E vetmja gjë e qartë që di, është se nuk e vendos unë kur largohem! Presidenti e bën! Do të ndodhë, herët a vonë! Kam avantazhin që Florentino do të qëndrojë për katër vite më shumë dhe unë kam objektivin që ta arrij këtë kohë bashkë me të! Mund të themi lamtumirë bashkë!”

Ançeloti firmosi një kontratë të re si trajneri i Realit në fund të vitit 2023, e cila përfundon në verën e 2026-ës. Italiani nuk po nxiton të nisë një sfidë të re në karrierën e tij.

65-vjeçari e ka udhëhequr skuadrën drejt fitimit të 10 trofeve gjatë kësaj periudhe, përfshirë dy Liga të Kampioneve. Ançeloti është gjithashtu trajneri me më shumë trofe të fituar te “Galaktikët”, 15 në total.

Klan News