Presidenti i akuzuar i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, është liruar nga qelia një ditë pasi gjykatë anuloi urdhër-arrestin e tij. Pamjet e transmetuara në kanalet televizive lokale treguan Yoon që largohej nga burgu dhe përshëndeti mbështetësit teksa i drejtohej rezidencës së tij.
Avokatët e tij thanë se vendimi i gjykatës konfirmoi se ndalimi i presidentit kishte mangësi sa i përket procedurave. Rreth 55,000 mbështetës të Yoon u mblodhën në zonat kryesore të Seulit, ndërsa mijëra të tjerë protestuan kundër tij pranë Gjykatës Kushtetuese.
Ai u arrestua në janar me akuza për kryengritje për vendosjen e ligjit ushtarak, në një kohë shumë të shkurtër, në dhjetor. Gjykata Kushtetuese po shqyrton çështjen e tij, nëse do ta shkarkojë zyrtarisht ose do ta rikthejë në detyrë Yoon. Nëse gjykata miraton fajësimin e tij, do të mbahen zgjedhje kombëtare për të gjetur pasardhësin e tij brenda 2 muajsh.
Kryengritja është një nga të paktat akuza penale nga të cilat presidenti i Koresë së Jugut nuk gëzon imunitet dhe ky krim dënohet me burgim të përjetshëm ose me vdekje. Një sondazh i Gallup Korea tregon se 60 përqind e të anketuarve duan që Yoon të largohet nga detyra.
Klan News