Trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel publikoi të premten listën për ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës 2026 kundër Shqipërisë dhe Letonisë. Tuchel në debutimin e tij në stolin e përfaqësueses angleze ka ftuar 26 lojtarë ku nuk mungojnë edhe risitë dhe të rikthyerit.

Për herë të parë është grumbulluar mbrojtësi 32-vjeçar i Newcastle, Dan Burn dhe i riu Myles Lewis-Skelly nga Arsenal. Thomas Tuchel ka risjellë tek Anglia edhe Jordan Henderson, Marcus Rashford dhe Reece James. Tuchel ka komentuar edhe kundërshtarët në një deklaratë për faqen zyrtare të federatës.

“Të dy ekipet janë për t’u respektuar edhe pse nuk janë favoritë. Shqipëria ka një trajner shumë të mirë që ka luajtur në nivele të larta. Ka lojtarë me karakteristika të mira individuale që mund të godasin falë aftësive të tyre teknike. Duhet të jemi të përgatitur mirë, pasi do të jenë ndeshje të vështira”.

Ndeshja e parë do të jetë përballë Shqipërisë më 21 Mars në stadiumin “Wembley” ku janë shitur të gjithë biletat prej kohësh. Këtë përballje do ta ndiqni direkt në Tv Klan. Më 24 mars Anglia do të presë sërish në shtëpi Letoninë. Në këtë grup është edhe Serbia e Andorra.

Tv Klan