FIFA i ka hequr të drejtën tre kombëtareve për të marrë pjesë në kualifikueset e Botërorit 2026, që do të mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.

Bëhet fjalë për Rusinë, Kongon dhe Pakistanin. Nëse për Rusinë, vendimi është në fuqi nga viti 2022, kur nisën sulmet në Ukrainë, për dy shtetet e tjera vendimi është i ri.

Federata e Futbollit të Kongos, është pezulluar nga FIFA për një kohë të pacaktuar, për shkak të ndërhyrjeve të palëve të treta në qeverisjen e futbollit.

Sipas FIFA-s, ndërhyrja e palëve të treta në qeverisjen e futbollit, përbën shkelje te statutit. Për të hequr pezullimin, janë vendosur kushte strikte, ku thuhet se Federata duhet të jetë vetëm për futbollin dhe nuk duhet të ketë palë të tjera. Derisa të plotësohen kushtet e vëna nga FIFA, kombëtarja e Kongos do të jetë e pezulluar.

Edhe Pakistani është dënuar për ndërhyrje te palëve të treta. Sipas FIFA-s, Federata e Futbollit të Pakistanit, ka dështuar të zbatojë reformat e vendosura dhe thuhet se pezullimi do të hiqet vetëm me kushtin që të miratohet Kushtetuta e paraqitur nga FIFA. /tvklan.al