Berat Gjimshiti gjithnjë e më shumë protagonist në Serie A. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare ishte tepër vendimtar për Atalantën duke qënë garanci në prapavijë dhe dhënë një prej asisteve në fitoren spektakolare 5-0 kundër Empolit.
Performancë që i ka mjaftuar për tu përfshirë në formacionin ideal të javës së 26-të në Serie A.
Gjimshiti u vlerësua me notën 8, duke zënë vend në qendër të mbrojtjes. Në 63 minutat e tij në fushë, 32-vjeçari spastroi 11 topa, teksa ishte i saktë në duelet fizike dhe thuajse perfekt me pasimet për shokët e skuadrës.
Gjimshiti kompletoi 22 nga 24 pasime të sakta, si dhe 3 nga 3 inkursionet e topave të gjatë.
Mbrojtësi ishte edhe shumë pranë golit, pasi tre tentativat e tij përfunduan një në kuadrat dhe dy jashtë portës. Kapiteni i Kombëtares Shqiptare ka qënë kyç në këtë sezon me Bergamaskët.
Në 34 ndeshje në të gjithë kompeticionet, Gjimshiti ka shënuar 2 gola dhe dhënë 2 asiste, ndërsa është ndëshkuar në total me 6 kartona të verdhë.
Formë e mirë që gëzon edhe teknikun Sylvinho, me 32-vjeçarin që pritet të jetë i grumbulluar në dy sfidat kualifikuese të Kupës së Botës 2026 kundër Anglisë dhe Andorrës.
Klan News