Pronat në Velipojë, i arrestuari dyshohet për 4 ngjarje të rënda kriminale

Biznesmeni Pëllumb Gjoka i arrestuar në kuadër të operacionit metamorfoza, i dyshuar si i përfshirë në 4 ngajre të rënda kriminale, kërkoi në Gjykatën e Posaçme të Apelit heqjen e sekuestrosë së pasurive.

Gjoka pretendon se 390 mijë metra katrore tokë i ka trashëgimi dhe se nuk i ka përfituar në mënyrë të paligjshme. Po ashtu ai thekson se ato prona janë të poseduara nga shoqëritë tregtare dhe persona të lidhur me të.

Por argumentat e avokatëve të Gjokës nuk e kanë bindur trupën gjykuese të Gjykatës së Posaçme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Togat e zeza kanë lënë të pandryshuar vendimin e shkallës së parë. 3 parcelat e tokës së biznesmenit do të mbeten nën sekuestro preventive. 

SPAK ka dyshime se Pëllumb Gjoka pronat në Velipojë i ka përfituar duke falsifikuar dokumente në bashkëpunim me persona të tjerë. Biznesmeni ndodhet në qeli me dyshimet se ka qenë i përfshirë në porositje vrasjesh në Shkodër dheTiranë, ngjarje të zbardhura nga komunikimet në platformën SKY, të sjella nga autoritetet franceze.

SPAK thotë se Gjoka ka porositur vrasjen e Kleant Muasabellit për shkak të një konflikti që kishte pasur me herë me të. Po ashtu ai ka pasur dijeni edhe për vrasjen e Gjin Boriçit dhe ka ndihmuar Behar Bajrin për të kryer një tjetër atentat. Biznesmeni është personi që nëpërmjet lidhjeve të tij me drejtësinë ka arritur që të nxjerrë nga burgu Behar Bajrin në kohën kur ishte arrestuar në kuadër të operacionit “Oaz” që u zhvillua në 2018.  Po ashtu, të njëjtat hetime çuan në pranga ish-shefin e Operacionales Oltion Bistri dhe ish-prokurorin Xhevahir  Lita.

Klan News