Punimet për ndërtimin e ujësjellësit të ri të Mamurrasit në zonën e Kurbinit kanë arritur në 45% të volumit të tyre dhe ky projekt do të ketë një impakt për afro 10-15 mijë banorë.

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku pa nga afër punimet tha se investimet në ujësjellësa në të gjithë vendin parashikojnë projekte të plota infrastrukturore.

“Bashkë me të gjithë investimin që ne bëjmë përsa i përket puseve të reja apo burimeve të reja, veprat marrëse, të gjitha depozitat që tashmë ne i ndërtojmë, sistemin SCADA që do të ketë çdo ujësjellës i ri, nga ana tjetër çka është më e rëndësishme projektet janë gjithmonë të kompletuara, duke qenë se kemi edhe matësat inteligjentë. Nuk do të kemi më asnjë lloj problematike me faturime aforfe”, tha Belinda Balluku.

Balluku theksoi se referuar projekteve që janë duke u zbatuar në të gjithë vendin, zonat bregdetare kanë një vëmendje të shtuar për shkak të sezonit turistik.

“Duhet të kemi parasysh që zona si Vlora apo zonat e jugut, 5 deri në 10 fishojnë kapacitetin e tyre të kërkesës për shkak të të gjithë vizitorëve, të turistëve. Duke pasur parasysh që muaji Janar i 2025 ka një numër 20% më të lartë të vizitorëve se Janari i 2024 është një trend që tregon sesi do të jetë ky vit. Pra, ky vit minimalisht do të ketë 20% më shumë vizitorë se viti i kaluar që u mbyll me 11.7 milionë, ndaj duhet të kemi parasysh që ujësjellës-kanalizimet janë një nga pikat e shërbimit më kritike, ashtu siç është edhe energjia që kërkojnë vëmendje të veçantë dhe sidomos zonat siç është Durrësi, Shëngjini, Velipoja, Vlora më shumë nga të gjitha, Radhima e më pas gjithë jugu”, tha Balluku.

Faza e parë e projektit të ujësjellësit të Mamurrasit përfshin furnizimin e qytetit, ndërsa më pas do të shtrihet edhe në 7 fshatra të tjerë të zonës.

Klan News