I burgosuri 49-vjeçar Daut Laze është arratisur nga burgu i Shënkollit në Lezhë. Mëngjesin e sotëm, kur stafi i burgut ka marrë apelin e të gjithë të burgosurve është evidentuar mungesa e 49-vjeçarit.

Burime për korrespondentin e Klan News, Martin Marku bëjnë me dije se personi në fjalë vuante nga problemet e shëndetit mendor dhe kurohej në burg.

Pas kontrollit nga stafi i policisë në institucion është vërejtur se Laze me mjekim të detyruar ka shfrytëzuar hapësirat e mundshme të cilat janë në parametrat e institucionit të posaçëm mjekësor për t’u larguar nga rrethimi i institucionit.

Burime jo zyrtare për korrespondentin Marku bëjnë me dije se pasi 49-vjeçari ka arritur të dalë nga Infermieria ku dhe po merrte trajtimin mjekësor të detyruar, dyshohet se ai të ketë kaluar nëpërmjet lumit Mat për t’u arratisur në zonen e Fushë-Kuqes në Kurbin. Dyshohet se Laze të jetë ndihmuar nga persona të tjerë për t’u arratisur.

Duat Laze ishte ndaluar në Nëntor të vitit 2021 për dhunë në familje, ndërsa vuante dënimin e tij në burgun e Shënkollit. Prej vitesh ai banonte në kryeqytet, ndërsa me origjinë ishte nga Çorovoda.

Aktualisht, po analizohen pamjet e kamerave për të zbardhur dinamikën e plotë të ngjarjes. Për ngjarjen po punohet intesivisht në bashkëpunim me strukturat e policisë për kapjen e tij.


Njoftimi zyrtar: Më datë 4 Shkurt 2025, në orët e para të mëngjesit, gjatë ndërrimit të turneve dhe kryerjes së apelit në IEVP Lezhë, është konstatuar mungesa e pacientit Daut Hysen Laze, i lindur më 30 gusht 1976 në Çorovodë dhe banues në Tiranë. 

Ai ishte arrestuar më 16 Nëntor 2021. Me vendimin nr. 528, akti datë 4 Nëntor 2024, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë kishte vendosur ndaj tij masën mjekësore “Mjekim i detyruar në një institucion mjekësor”, sipas nenit 46 të Kodit Penal. 

Pas kontrollit të menjëhershëm nga stafi i policisë në institucion, është vërejtur se ky shtetas me mjekim të detyruar ka shfrytëzuar hapësirat e mundshme të cilat janë në parametrat e institucionit të posaçëm mjekësor për tu larguar nga rrethimi i institucionit.

Aktualisht, po analizohen pamjet e kamerave për të zbardhur dinamikën e plotë të ngjarjes. Për ngjarjen është njoftuar SHKBB dhe po punohet intesivisht në bashkëpunim me strukturat e policisë për kapjen e tij.


/tvklan.al