Trupi i pajetë i një 49-vjeçari është gjetur mëngjesin e kësaj të enjteje nga punonjësit e mirëmbajtjes së rrugëve. Sipas asaj që raporton gazetari i Klan News, Martin Marku punonjësit e mirëmbajtjes së rrugëve kanë konstatuar viktimën gjatë punës rutinë që kryejnë në këtë aks dhe menjëherë kanë lajmëruar policinë.
Ai është gjetur pa shenja jete në kryqëzimin e rrugës ku ndahen aksi i rrugës së Kombit me segmentin drejt Lezhës. Bëhet e ditur se trupi i pajetë është gjetur pranë trafikndarëseve, dhe menjëherë është njoftuar policia e cila ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur hetimet.
Sipas asaj që bën të ditur policia dyshohet se ky person e ka humbur jetën para disa muajsh, si pasojë e një aksidenti rrugor.

“Rreth orës 08:50, është gjetur në trafikndarësen e autostradës “Milot-Thumanë”, në fshatin Shullaz, një trup njeriu, i dekompozuar. Nga verifikimet paraprake dyshohet se trupi i përket shtetasit E. N., 49 vjeç, banues në Laç. Gjithashtu, nga veprimet paraprake dyshohet se ky shtetas e ka humbur jetën para disa muajsh, si pasojë e një aksidenti rrugor”, thuhet në njoftimin e policisë.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për dokumentimin e shkakut të vdekjes së këtij shtetasi.
/tvklan.al