“Tre gardianet e burgut të Shënkollit janë arrestuar nën akuzën e shpërdorimit të dëtyrës. Pas analizimit të situatës nga shërbimi i kontrollit të brendshëm janë vënë në pranga dy oficerët e burgut dhe përgjegjësja e kamerave të sigurisë”, raporton gazetari i Tv Klan, Martin Marku.

Arrestimi i tyre, ka ardhur pas dyshimeve se 3 punonjësit e burgut nuk kanë përmbushur detyrat e tyre gjatë shërbimit, kohë kur u regjistrua dhe arratisja e Daut Lazes.

Hetimi vijon edhe për punonjës të tjerë të këtij burgu, të cilët kanë qenë në shërbim në momentin që 49-vjeçari theu sigurinë duke u larguar nga institucioni i vuajtjes së dënimit.

Për kapjen e 49-vjeçarit të arrestuar për “dhunë në familje” në vitin 2021, policia ka ushtruar kontrolle të shumta, por deri më tani nuk ka mundur të bie në gjurmët e tij.

Duke e konsideruar Daut Lazen si një person me rrezikshmëri shoqërore, për shkak dhe të problemeve të shëndetit mendor, policia ka vënë në dispozicion dhe një shpërblim prej 10 mijë Eurosh për këdo qytetar, informacion i të cilit çon në arrestimin e tij.

Daut Laze ndodhej në këtë burgun e Shënkollit në Lezhë prej Nëntori të 2024, pas vendimit të gjykatës së Tiranës që kishte caktuar masën “shtrim i detyruar në një institucion mjekësorë”.

Tv Klan