Ndërsa e anuloi personalisht skemën e dërgimit të azilkërkuesve në Ruanda, tani kryeministri britanik Keir Starmer është i hapur për dërgimin e emigrantëve në Shqipëri, duke u shprehu “i interesuar” për një skemë përpunimi të ngjashëm me atë të qeverisë italiane dhe Shqipërisë. Kryeministri Starmer shprehet “i interesuar” të shohë rezultatet e marrëveshjes italo-shqiptare dhe çështjen e migracionit të paligjshëm do ta diskutojë në Romë të hënën me kryeministren Meloni.

Gjatë vitit të kaluar, numri i emigrantëve të paligjshëm që kanë mbërritur në Itali ka rënë nga 118,000 në 44,500, një rënie prej 62 për qind. Komentet pozitive të kryeministrit për Shqipërinë vijnë pavarësisht vendimit të partisë së tij për të shfuqizuar skemën e konservatorëve. Kryeministri i bëri komentet gjatë udhëtimit në Uashington. I pyetur për skemën shqiptare, Starmer u shpreh i interesuar.

“Le të shohim. Është në ditët e para dhe jam i interesuar se si funksionon kjo skemë, mendoj se edhe udhëheqësit e tjerë janë po ashtu të interesuar. Pata një diskutim paraprak me zonjën Meloni për mënyrën si mund të punojmë së bashku për luftimin e migracionit të parregullt. Ajo ka disa ide të qarta dhe unë shpresoj t’i diskutoj më në hollësi,” tha ai.

Falë marrëveshjeve financiare me qeveritë tuniziane dhe libiane dhe marrëveshjes së përpunimit paraprak me Shqipërinë, Italia ka arritur të ulë numrin e emigrantëve. Programi laburist për luftimin e emigracionit të paligjshëm është më i gjerë sesa vetëm dërgimi i azilkërkuesve në Shqipëri. Masat gjithë përfshirëse do të diskutohen edhe me kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe presidentin francez Emmanuel Macron.

Në gjermani prodhohen motorët e fuqishëm të varkave që kalojnë kanalin e La Manshit dhe qeveria britanike synon këtu ndërhyrjen e qeverisë gjermane, ndërsa nga Franca mund t’i ndalojë rrugës. Gjatë verës qeveria britanike ka premtuar 84 milionë paund për të ndihmuar në ndalimin e migrimit të parregullt. Emigrimi ishte fokusi i konferencës që Britania organizoi më herët këtë vit në Oxfordshire, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri shqiptar Edi Rama.

Klan News