U zhvillua sot përpara Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, ceremonia e betimit e anëtares së Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj.

“Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të vendimit përkatës të emërimit të saj nga Gjykata e Lartë, gjyqtarja Holta Zaçaj bëri betimin: “Gjatë kryerjes së detyrave të mia do t’i qëndroj kurdoherë besnike Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.” Presidenti Begaj i uroi suksese zonjës Holta Zaçaj në detyrën e re”, njoftoi Presidenca.

Me zgjedhjen e saj, Gjykata Kushtetuese për herë të parë që nga nisja e Reformës në Drejtësi është plotësuar me 9 anëtarë me mandat të plotë.

Zacaj zëvendëson në këtë detyrë zëvëndëskryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tushen, e cila ka qëndruar jashtë mandatit të saj që prej vitit 2017.

Zaçaj u zgjodh nga Gjykata e Lartë. Ajo mori numër të barabartë votash me Elsa Mihën, por u zgjodh anëtare të Gjykatës Kushtetuese falë pikëzimit më të mirë që i kishte bërë Këshilli i Emërimeve në Drejtësi./tvklan.al