Emisioni “Stop” ka shkuar në Elbasan për problemin e vëllezërve Vait dhe Naim Gega, të cilët për një çështje të vjedhjes së pronës kanë përfunduar në Gjykatën e Elbasanit. Çështja e tyre u gjykua nga gjyqtarja Pajtime Fetahu, e cila vendosi ta pushojë në 9 Mars 2021. Ka kaluar më shumë se një vit, por vendimi ende nuk është zbardhur.

Gazetarja: Na shpejgoni njëherë, si është problemi juaj?

Denoncuesi: Ne jemi vëllezërit Gega. Neve na është grabitur një pronë në vendin e quajtur Përrenjas. E kemi marrë sipas ligjit në fuqi të 7 501-shit, e kemi poseduar 23 vjet.

Gazetarja: Dhe ju përfunduat në Elbasan Z. Gega, çfarë ndodhi?

Denoncuesi: Po, në gjyq në Elbasan, me prokurorin Petref Asllani. Gjyqin na e vazhdoi Pajtime Fetahu. Më 9 Mars të 2021-shit, nuk na e zbardhi vendimin. Mbylli gjyqin dhe e pushoi çështjen dhe nuk na e zbardhi vendimin. Kemi ardhur me mijëra herë, kemi kërkuar për të marrë vendimin. Deri më sot, nuk e ka zbardhur në mënyrë që të vazhdojmë proceduar mëtej në gjykatë sipas rregullave në fuqi.

Gazetarja: Na thuaj pak se të vish një vit nga Përrenjasi në Elbasan është kosto. Si ia keni bërë, sa keni harxhuar?

Denoncuesi: Është kosto shumë e rëndë biles sepse ne në çdo javë po të thuash kemi ardhur dhe na thonë se nuk është zbardhur vendimi, nuk është zbardhur vendimi.

Gazetarja: Çfarë pune bëni, me çfarë merreni?

Denoncuesi: Bujqësi, fshat.

Gazetarja: I keni lënë besoj punët sepse ju ikën dita?

Denoncuesi: Patjetër! Të ikësh nga Rrajca dhe të vish në Elbasan, ikën komplet dita. Për këtë i jemi drejtuar emisionit “Stop”. Ju lutemi na ndihmoni!

Avokaja Eda Grimci shpjegon se afati ligjor për zbardhjen e vendimit është 20 ditë. Brenda kësaj kohe gjyqtarja duhet ta çojë vendimin e zbardhur në kryesekretari.

Gazetarja: Kërkojmë nga ana juaj që të na shpjegoni se cilat janë afatet ligjore që detyrojnë gjyqtarin të depozitojnë vendimin e zbardhur në sekretari dhe pala e interesuar ta tërheqë atë?

Avokatja: Bëhet fjalë për një vendim që është shpallur para një viti, në 9 Mars të vitit 2021 dhe akoma sot e kësaj dite nuk është zbardhur. Më duket e çuditshme dhe duke kuptuar të gjithë problematikën që ka sistemi gjyqësor sot, për ngarkesën e madhe që gjyqtarët kanë në shqyrtimin e çështjeve. Në fakt, kjo është një vonesë e pajustifikuar. Afati i zbardhjes së vendimit është i përcaktuar mjaft qartë edhe në nenin 308 të Kodit të Procedurës Civile, ku gjykata mund të shpallë vetëm dispozitivin e vendimit në rast të ngarkesës së madhe duke e dorëzuar atë të arsyetuar në sekretari jo më vonë se 20 ditë ose të shtyjë shpalljen e arsyetuar të vendimit deri në 20 ditë. Edhe në rastet kur ka pasur ngarkesa, mund të kenë ndodhur të ketë pasur një javë apo 10 ditë vonesë, por që të ketë 1 vit vonesë, aq më tepër që bëhet fjalë për një çështje të pushuar, në zbardhjen e një vendimi që është shpallur që para një viti, kjo më duket e papranueshme dhe nuk ka arsye që të justifikojë një kohë kaq të gjatë.

Vëllezërit kanë shkuar në Gjykatë për t’u interesuar në lidhje me vendimin, por iu është thënë se vendimi do të ju vijë në shtëpi.  

Denoncuesi: Kërkojmë sekretaren e Pajtime Fetahut!

Punonjësi i Gjykatës: Sekretarja është në gjyq tani, qysh do e takosh?!

Denoncuesi: Kemi një gjyq, një vit e ca, që s’kemi marrë asnjë përgjigje, si e mbylli.

Punonjësi i Gjykatës: Po të vjen letra në shpi.

Denoncuesi: Kam një vit.

Punonjësi i Gjykatës: Po ça të them unë?!

Denoncuesi: Prandaj duam të takojmë atë sekretaren!

Punonjësi i Gjykatës: Sekretarja nuk takohet, se është në gjyq tashi.

Denoncuesi: Kemi bërë një gjyq me Pajtime Fetahun dhe nuk kemi marrë vendimin. Që më 9 Mars 2021 është mbyllur çështja, vendimin nuk e kemi marrë. Kemi ardhur gjithë ato herë, ju kemi bezdisur dhe ju këtu dhe s’kemi marrë asnjëlloj përgjigje.

Kryesekretarja: Vendimi do të vijë në shpi.

Denoncuesi:Kur do vijë? Një vit e ca…

Kryesekretarja: Nuk e di! Do të vijë në shpi, kshu që…

Emisioni “Stop” i është drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë në Elbasan, ku është interesuar për rastin e vëllezërve Gega me gjyqtaren pajtime Fetahu. Rezulton se çdo gjë është shumë hermetike, gjyqtarja sëbashku me sekretaren e saj janë shumë të ngarkuar me gjyqe.

Gazetarja: Si je? Kancelari është këtu?

Punonjësi: S’është sot, është në seminar.

Gazetarja: Sekretarja e Pajtime Fetahut?

Punonjësi: Eshtë në gjyq.

Gazetarja: Kur e mbaron gjyqin? Nuk mbaron asnjëherë.

Punonjësi: Nuk është, se s’mbaron asnjëherë, po shko te Kryesekretaria dhe pyet, se në qoftë se e ka zbardh, atje është.

Gazetarja: Juve nuk ju kushton asgjë, që të më thoni ka ndonjë arsye nga Gjyqtarja, se përse nuk e ka zbardhur vendimin?

Kryesekretarja: Ka shumë ngarkesë. Do të bësh një kërkesë, siç procedohet për të gjithë edhe…

Gazetarja:Nuk ju kushton asgjë, që të shikoni në rast se Gjyqtarja ka dhënë ndonjë arsye, se pse nuk e ka zbardhur vendimin tash 365 ditë. Të lutem!

Kryesekretarja: Mos u lut kot, se unë jam personi, që s’kam fare lidhje!

Gazetarja:Je personi, që përplasen të gjithë, ke një përgjigje për çdo qytetar.

Kryesekretarja:Bëj kërkesën dhe të kthej përgjigje!/tvklan.al