Reduktohen kostot e pagesave në Euro, rritet shpejtësia e shërbimit
Anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në sistemin europian të pagesave ishte fokusi i ministerialit që mblodhi në Tiranë ministrat dhe guvernatorët e bankave qendrore të rajonit.
Për Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, anëtarësimi në SEPA, ofron mundësi për zhvillimin e tregtisë ndërkufitare duke fuqizuar integrimin financiar drejt BE.
“Banka e Shqipërisë e sheh SEPA-n si katalizator për ngritjen e një sistemi pagesash eficent dhe të besueshëm për vende të vogla si Shqipëria. Nëpërmjet standardizimit të pagesave ndërkufitare dhe përdorimit të një teknologjie të përparuar, bëhet i mundur zhvillimi i një tregu më bashkëkohor të pagesave, duke përmirësuar konkurrencën në tregun e pagesave me vlerë të vogël, si dhe transparencën dhe besueshmërinë e produkteve që i ofrohen publikut për pagesat ndërkufitare”, u shpreh ai.
Ministri i Financave, Ervin Mete renditi përfitimet që sjell ky anëtarësim në qasjen dixhitale të pagesave.
“Hapja e SEPA-s për anëtarët jo pjesë e BE-së, përfaqëson një mundësi unike për Ballkanin Perëndimor që të ulë ndjeshëm kostot e pagesave brenda rajonit dhe me BE-në, i cili është edhe partneri ynë më i madh tregtar, nga ana tjetër investimet e huaja direkte, turizmi dhe remitancat mbeten motorët më të fuqishëm të ekonomisë sonë. Me SEPA, koha dhe kostot e transaksioneve reduktohen ndjeshëm”, tha ministri.
Banka Botërore po mbështet përmes asistencës teknike vendet e Ballkanit Perëndimor për të përmbushur kushtet e nevojshme për aplikimin dhe anëtarësimin eventual në Sistemin Europian të Pagesave.
Tv Klan