Një ngjarje e rëndë ka tronditur dje Kurbinin ku një 67-vjeçar, Dod Mamli, mbeti i vrarë. Ditën e sotme policia ka bërë të mundur arrestimin e autorit të vrasjes, i cili është kapur në fshatin Vilëz.

Autori, 53-vjeçari Dashnor.T, është banues në fshatin Zhejë, Kurbin. Në momentin e kapjes nga Policia, këtij personi i është gjetur arma e zjarrit me të cilën dyshohet se ka vrarë 67-vjeçarin Dod Mamli për motive pronësie.

“Dyshohet se vrau me armë zjari, një 67-vjeçar, dje, në fshatin Vilëz, si rezultat i kontrolleve intensive nga Policia, kapet dhe vihet në pranga 53-vjeçari. Operacioni për lokalizimin dhe kapjen e këtij shtetasi u zhvillua pa ndërprerë nga shërbimet operacionale të DVP Lezhë, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër.

Gjatë operacionit janë ushtruar kontrolle në të gjithë territorin e fshatit ku ndodhi ngjarja dhe në zonat përreth. Si rezultat, mesditën e sotme, është lokalizuar në fshatin Vilëz, është kapur dhe vënë në pranga shtetasi: D. T., 53 vjeç, banues në fshatin Zhejë, Kurbin. Në momentin e kapjes nga Policia, këtij shtetasi i është gjetur arma e zjarrit me të cilën dyshohet se ka vrarë 67-vjeçarin D. M., për motive pronësie”, thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Kujtojmë se ngjarja e rëndë ndodhi në rrugën e fshatit Vilëz, Zhejë të Kurbinit. Vrasja e 67-vjeçarit Dod Mamli në Zhejë të Kurbinit u dyshua se kishte si motiv gjakmarrjen, por nuk u përjashtuan as pistat e tjera si ajo e pronësisë, derisa policia saktësoi shkaqet.

/tvklan.al