Preng Gjini: Nuk kam hasmëri me askënd
Megjithëse në gjendje të rënduar shëndetësore, por jashtë rrezikut për jetën, Preng Gjini ka dhënë dëshminë e tij para oficerit të Policisë Gjyqësore. Burimet bëjnë me dije se i dëmtuari ka treguar të gjithë itinerarin që ka ndjekur përgjatë datës 15 Shtator.
Kryesisht lëvizjet e tij janë kryer me automjetin që ka në pronësi dhe janë të përqendruara në kryeqytet. Madje, sipas grupit hetimor, që prej largimit të gruas dhe fëmijëve nga Shqipëria, ai jetonte në kryeqytet, në një banesë me qira.
Bazuar në këtë dëshmi, prokurori i çështjes ka kërkuar sekuestrimin e të gjitha kamerave në zonën ku ka treguar se ka lëvizur vetë Preng Gjini. Kjo do të ndihmonte për të vërtetuar nëse ka pasur ndonjë person apo automjet që e ka gjurmuar nga pas në këto lëvizje që ka bërë ai përgjatë datës 15 Shtator. Por një pikë e fortë e dëshmisë së tij është fakti se ai ka thënë që nuk ka hasmëri me askënd, e as me familjen Reçi. Pavarësisht provave dhe fakteve që ka prokuroria, ai e mohon një gjë të tillë.
Ndërkohë policia vazhdon me administrimin dhe ekspertimin e kamerave të sigurisë të sekuestruara në vendngjarje, për të parë se kush mund të ketë shtypur butonin e telekomandës për shpërthimin e tritolit.
Gazetare: Aida Topalli
Klan Plus