Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Ëngjëll Agaçi është thirrur nga SPAK këtë të premte. Klan News raporton se ai është thirrur si person i cili ka dijeni për çështjen e inceneratorëve.

Gazetarja Glidona Daci raporton se Agaçi nuk ka dhënë asnjë koment pas daljes nga Prokuroria e Posaçme. Sipas burimeve të gazetares, Agaçi ka qëndruar rreth 2 orë para prokurorit Dritan Premçi.

“Të paktën informacionet që kemi mundur të sigurojmë janë të pakta nga deklarimet që ka dhënë zoti Agaçi për rreth 1 orë përpara prokurorit Dritan Premçi. Thuhet që ai ka shpjeguar pozicionin e tij, mënyrën si është marrë vendimi për koncesionin e inceneratorëve. Nga ana tjetër ka shpjeguar që gjithë procedura e ndjekur për koncesionin për inceneratorët ka qenë e rregullt dhe konform ligjeve në fuqi, nuk ka pasur asnjë shkelje ligjore nga ana e qeverisë në lidhje me këtë çështje dhe i janë referuar të gjitha dokumenteve që i kanë mbërritur nga Ministria e Mjedisit në atë kohë e cila ka qenë edhe një nga ministritë që ka pasur rolin kryesor në çështjen e inceneratorëve duke qenë se inceneratorët u hodhën si koncesion për t’u bërë për shkak se kishim probleme me mbetjet dhe ndotjen mjedisore. Agaçi ka shpjeguar me detaje të gjitha pyetjet që janë bërë nga grupi i hetimit ku ka pretenduar se nuk ka pasur në asnjë rast shkelje të ligjit, dhe po ashtu ka sqaruar edhe pozicionin e tij, duke qenë se koncesioni për inceneratorët padiskutim që ka edhe firmën e Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë”, tha gazetarja. /tvklan.al