Mëngjesin e kësaj të hëne në studion lëvizëse të “Aldo Morning Show” në Tv Klan ishte e ftuar një vajzë me origjinë nga Italia. Ilaria Paoli nga një vajzë e brishtë e rritur në brigjet e Italisë, por tashmë ajo është një nuse tradicionale shqiptare, që flet në mënyrë të përkryer shqip dhe që ka përqafuar traditat dhe zakonet tona.
Me bashkëshortin e saj, Olsin ata u njohën në Itali, ku dhe jetuan plot dy vite. Më pas çifti vendosi që të kthehej në Shqipëri, ku dhe bënë dasmën.
Themi që Ilaria Paoli është një nuse tradicionale shqiptare, sepse ajo ka vendosur që në shtëpinë e madhe në periferi të Tiranës të jetojë jo vetëm me bashkëshortin e djalin e tyre të vogël, por dhe me kunatin, vjehrrin dhe vjehrrën.
Për këta të fundit Ilaria Paoli ka fjalët më të përzemërta. Ndërkohë që tregon respektin dhe dashurinë që ka për ta, nga ana tjetër tregon dhe mirënjohje për mënyrën se si ata e kanë pritur në familjen e tyre, kur ajo ka qenë vetëm 17 vjeçe.
Aldo: Si ndryshon një vjehrrë italiane nga një shqiptare? Ku ndryshon?
Ilaria Paoli: Të them të drejtën nuk e di, sepse vjehrra ime ka ndenjur shumë vite në Itali. Po ta shikosh vjehrra ime është për Mashallah.
Aldo: Cila është një shprehje që ka vjehrra jote?
Ilaria Paoli: Një shprehje që unë e kam shumë qejf është “të marrsha të ligat”.
Aldo: Kur të morëm në telefon ti the ja sa të flas pak me vjehrrin. Ti i merr leje vjehrrit?
Ilaria Paoli: Nuk është se i marr leje vjehrrit, por unë për ata kam shumë respekt. Përveçse unë që kam marrë guximin për të ardhur këtu, ata më kanë hapur derën sikur jam fëmija i tyre, kështu që sikurse unë i dua fort dhe ata më duan fort./ tvklan.al