Sali Tivari, jurist i njohur në Durrës, sekretar i përgjithshëm dhe personalitet me ndikim në Komunitetin Mysliman Shqiptar ku ishte edhe numri 2 i tij, u vra më 13 janar 2003. Tivari u gjet i pajetë një ditë më pas, në zyrën e tij, në katin e dytë të KMSH dhe i qëlluar me tre plumba.
Gazetari Trashëgim Sokolaj e ka zgjedhur këtë ngjarje si një nga vrasjet misterioze në Shqipëri. duke e komentuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, ai thotë se është unike pasi është rasti i parë kur një person a një grup kanë marrë guximin të hyjnë në institucionin e komunitetit fetar më të madh në vend.
Sokolaj thotë se kjo ngjarje e ka shoqëruar përgjatë karrierës së tij. Gazetarët e kishin të vështirë të hynin në KMSH pa kërkesën e dikujt. Sali Tivari u ekzekutua mëngjesin e atij 13 janari në zyrën e tij, por ishin parregullsitë në hetim ato që e bëjnë këtë ngjarje edhe më intriguese.
Trashëgim Sokolaj: Ekzekutori i nr. 2 të komunitetit Mysliman, arriti që ditën për diell, jo më larg se 20 metër nga parlamenti se kemi edhe selinë e parlamentit, ditën kur festohej në sheshin “Nënë Tereza” përvjetori i radhës së Policisë së Shtetit, arriti të futet dhe të ekzekutojë nr. 2, njeriun në atë kohë më të rëndësishëm të Komunitetit Mysliman sepse mos të harrojmë që ngjarja ka ndodhur në një kohë kur kryetari i Komunitetit ishte i tërhequr për shkak të problemeve shëndetësore.
Blendi Fevziu: Në çfarë ore mund të ketë ndodhur krimi?
Trashëgim Sokolaj: Kjo ka ndodhur mes orës 8:15-8:25.
Blendi Fevziu: Të mëngjesit? Në atë kohë s’kishte kamera fare?
Trashëgim Sokolaj: Nuk ka pasur kamera dhe ka qenë interesant fakti që në kohën kur ka ndodhur si ngjarje, pjesa më e madhe e punonjësve të Komunitetit ka qenë te lokali poshtë ku konsumonin kafetë e mëngjesit. I vetmi që ka qenë në zyrë ka qenë i ndjeri. E zgjodha këtë ngjarje sepse ishte një raportim shumë i vështirë sepse 3 ditë pas ngjarjes, policia arriti të vendoste përgjues brenda Komunitetit Mysliman sepse të dyshuarit kryesorë ishin ata. Jo vetëm brenda Komunitetit Mysliman, por edhe në një nga xhamitë kryesore, shumë afër qendrës së Tiranës sepse mendohej që aty kishte një celulë që mund të ishtee e implikuar.
Blendi Fevziu: Nuk gjeti gjë asnjëherë?
Trashëgim Sokolaj: Gjeti biseda periferike apo që mund të flisnin për shkakun e ngjarjes, por nuk kishte një autor. Tjetër vështirësi në këtë rast, sa më shumë dukej se i afroheshe të vërtetës, kur sigurohej një dëshmi apo një dokument që tregonte konfliktet e Sali Tivarit me OJF-të apo me organizatat që vrapuan për të hedhur para në Shqipëri në atë kohë, me interesa nga mbrapa kuptohet, aq më shumë kuptohej që në fakti je larguar së vërtetës. Në tavolinën e punës së të ndjerit u gjetën 12 gjurmë, nga të cilat 3 prej tyre rezultuan që ishin lënë nga vetë punonjësit e policisë, komisariati nr.1. E dyta, u prish vendi i ngjarjes sepse personeli i Komunitetit Mysliman e mori të ndjerin, të cilin edhe mënyra e ekzekutimit është interesante.
Blendi Fevziu: Pse?
Trashëgim Sokolaj: I ndjeri është gjetur i kërrusur, i përmbysur me xhaketë mbërthyer. Një nga plumbat e ka pasur në afërsi të zemrës në krahun e majtë, një tjetër e ka pasur në qafë. Xhaketa ka qenë e mbërthyer. Xhaketa nuk kishte vrimë plumbi. Çfarë ndodhi? E zgjodha këtë ngjarje sepse ka papërgjegjshmëri në mënyrën sesi u trajtua. Ishte serioze dhe u trajtua në mënyrë të papërgjegjshme. Xhaketa e të ndjerit ka mbërritur dy javë pas ngjarjes, me një person të paidentitfikuar që është porositur “çoja familjarëve rrobat e viktimës” pasi ishte çuar në pastrim kimik për t’i hequr gjakun bashkë me kopsën ku mund të ishte gjurma e gishtit të autorit. Një pakujdesi e tmerrshme! Anëtarët e KMSH shkojnë në Spitalin Ushtarak ku pasi konfirmohet vdekja e të ndjerit, tërheqin trupin dhe tentojnë të mos lejojnë autopsinë duke gjykuar që do t’i nënshtrohet riteve.
Disa javë para vrasjes, Tivari ishte përfshirë edhe në një diskutim të nxehur.
Trashëgim Sokolaj: Disa javë përpara se të vritej në zyrën e tij, Sali Tivari ka pasurnjë përplasje shumë të fortë në xhaminë e Durrësit ku i është mbyllur dera nga jashtë nga një prej personave që në vitin 2005 u shoqërua prej policisë si autor i dyshuar i ngjarjes dhe është ngujuar aty, është mbajtur për 4 orë dhe debati i diskutimit është i paimagjinueshëm.
Blendi Fevziu: Pse?
Trashëgim Sokolaj: Sepse ishte koha kur Komuniteti Mysliman pas hapjes së Shqipërisë dhe zhvillimeve që po ndodhnin, po riformatonte veten dhe aty është diskutuar për shembull, Sali Tivari ka dhënë ide a duhet të faleshin 5 herë në ditë apo sa herë duhet të faleshin. Është interesant fakti që në çdo xhami kishte kundërshtarë dhe është ndodhur i vetëm me kundërshtarët e tij brenda në xhami për 3-4 orë.
Sali Tivari përshkonte çdo ditë 30 kilometra nga Tirana në Durrës dhe vrasja e tij mund të kishte ndodhur kudo. Ekzekutimi i tij u zgjodh në zyrë, në tavolinën e punës, në zemrën e institucionit fetar nga një autor që nuk e pa askush./tvklan.al