Takimi i Donald Trump dhe Emmanuel Macron në Shtëpinë e Bardhë nisi me një tjetër shtrëngim të gjatë duarsh. Kreu francez udhëtoi për të zhvilluar bisedime në një moment pasigurie të thellë për të ardhmen e marrëdhënieve transatlantike dhe i përcolli Trumpit dy mesazhe kryesore: Të mos shfaqet i dobët përballë Valdimir Putinit dhe se Europa do të marrë më shumë përgjegjësi për Ukrainën dhe rrisë shpenzimet për mbrojtjen.

Vizita e Presidentit Emmanuel Macron në Uashington përkoi me përvjetorin e tretë të pushtimit rus të Ukrainës.

Në Zyrën Ovale Donald Trump tha se lufta mund të përfundojë brenda disa javëve. I pyetur nëse do t’i kërkojë Ukrainës të lëshojë territor, Trump u përgjigj: “Do ta shohim.” Nga ana tjetër Trump garantoi se Putini do të pranojë trupat paqeruajtëse europiane në Ukrainë. Rimarrja e territoreve të pushtuara nga Rusia, “nuk është një gjë e lehtë për t’u realizuar,” tha kreu amerikan. Macron sqaroi se trupat europiane nuk do të dislokohen në front por me praninë e tyre do të shërbejnë si garanci sigurie në Ukrainë.

Trump tha se pret që presidenti ukrainas Volodomyr Zelensky të vijë në Uashington “këtë javë ose javën e ardhshme” për të nënshkruar një marrëveshje me SHBA-në mbi mineralet e rralla në këmbim të mbështetjes ushtarake. Një marrëveshjen e tillë u përshëndet edhe nga presidenti Macron.

Trump u shpreh i pasigurt se kur do të takohet me presidentin rus Vladimir Putin. Të parakohshme e quajti edhe një vizitë në Moskë. U spekulua se mund të merrte pjesë në paradën e 9 majit.

Macron u përpoq të bindë Trumpin që t’i qëndrojë në krah Kievit, duke këmbëngulur se Ukraina “duhet të përfshihet” në bisedime. Presidenti francez Emmanuel Macron tha se shpreson për një përfshirje “të fortë” të SHBA-së për të siguruar paqen në Ukrainë.

Macron e garantoi Trump-in se Europa do të rrisë shpenzimet për mbrojtjen dhe do të jetë në partner i fortë në krah të Amerikës.Trump u nxit nga gazetarët ta quajë presidentin rus Putin “diktator”, por ai refuzoi.

“Unë nuk i përdor lehtë ato fjalë, do të shohim se si do të funksionojë gjithçka”, tha Trump.

Atmosfera ishte më pak miqësore në selinë e Kombeve të Bashkuara në New York, ku SHBA-ja theu traditën dhe votoi kundër rezolutës të propozuar nga Ukraina dhe 27 vende të BE-së për të dënuar agresionin e Rusisë.

Fillimisht administrata Trump u përpoq ta zbusë gjuhën e rezolutës, por më pas votoi kundër dhe prezantoi një tekst të sajën që thjesht kërkonte fundin e konfliktit. Të dyja rezolutat kaluan, por duke mbajtur anën e Rusisë kundër shumicës së aleatëve europianë, Shtetet e Bashkuara bënë një ndarje të mprehtë me të kaluarën.

Klan News