Më 9 Shkurt 2006 bëri bujë masakra e Kozares në rrethin e Beratit ku një familje e tërë u shua. 3 anëtarët e familjes, Shpëtim Marra, gruaja e tij Florije Marra dhe djali i tyre i mitur, Artiol Marra u vranë me armë zjarri. Në atë kohë, gruaja Florije Marra ka qenë edhe shtatzënë 3-4 muajshe.

Tre anëtarët e familjes Marra kanë qenë brenda shtëpisë së tyre. Një person i armatosur me kallashnikov ka hyrë brenda banesës private dhe ka hapur zjarr me breshëri duke i lënë të gjithë të vrarë. Shpëtim Marra dhe djali i tij Artiol kanë qenë të ulur në divan. Ndërsa gruaja, Florije Marra ishte pranë sobës.

Kjo ngjarje është risjellë në vëmendjen e opinonit publik nga gazetari Spartak Koka, i cili është i ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan.

“Unë kam zgjedhur masakrën e Kozarës, si një histori që e kam trajtuar në emisionin “Uniko” në Klan Plus për shkak të makabritetit të kësaj historie, për shkak se autori nuk ka njohur as norma dhe as zakone dhe nuk kursyer as fëmijë dhe as gruan shtazënë. Autori ka shkuar me qëllim të qartë për ta shfarosur. Ka qenë mbrëmja e 9 Shkurtit 2006. Në Klan Plus e kemi bërë dhe me 3D materialin ku autori futet në brendësi të banesës së Shpëtim Marrajt dhe i ka goditur pa kursyer nënën shtatzënë, Florije Marra, Shpëtim Marrën, i cili ndodhej në divan së bashku me djalin 3 vjeç dhe vdekja e tyre ka qenë e menjëhershme. Nëna ishte goditur dhe në pjesën e barkut ku ishte shtatzënë 3-4 muajsh, të gjithë e dinin që priste fëmijën e dytë. 8 plumba kishte nëna. Fëmija po ashtu, 7 apo 8 të tjerë”, thotë gazetari Koka.

Si autor i kësaj masakre është dënuar me burgim të përjetshëm Luan Marra, vëllai i Shpëtim Marrës. Luan Marra e mohon kategorikisht krimin.

“Për këtë ngjarje, u ngritën shumë pista hetimi në atë kohë. Me ardhjen e një grupi hetimor të ri 8 muaj më vonë i drejtuar nga Sokol Bizhga, u ushtrua dhunë ndaj 2 vëllezërve të viktimës, Ilir Marrës dhe Luan Marrës. Të dy kanë pranuar se janë dhunuar dhe njëri prej tyre, Luan Marra ka pranuar se ishte ai autori i ngjarjes dhe se e kishte kryer sipas asaj dëshmie në atë kohë vrasjen se vëllai dyshonte se mos kishte shkuar me gruan e tij dhe se fëmija që gruaja kishte në bark, ishte i Luanit.

3 ditë më vonë, kur del për vlerësimin e masës së sigurisë, mohon krimin dhe thotë se ishte dhunuar. Akt-ekspertiza provon dhunën barbare që i ishte ushtruar atij. Që nga ai moment, Luan Marra ka mohuar në mënyrë sistematike se ishte ai autori. Ai është dënuar 3 herë nga gjykata dhe në 2 raste Kushtetuesja, ka thënë se provat e mbledhura ndaj Luan Marrës janë të pavlefshme se janë shkelur të drejtuat themelore të njeriut.

U kthye sërish për herë të tretë dhe është dënuar për herë të tretë nga Gjykata e Lartë me të njëjtat prova me burgim të përjetshëm. Pista që ndërtoi grupi hetimor, rezultoi se fëmija ishte i Shpëtim Marrës, bashkëshortit të saj dhe ra kjo pistë si motiv i kësaj ngjarje. Luan Marrën kur e kemi marrë në intervistë në Klan Plus nga burgu tha se nëse do të isha unë autori dhe vëllai do të dyshonte tek unë, atëherë, përse mos të më vriste ai mua dhe ta vrisja unë aty?”, shprehet gazetari Koka.

Familjarët e tij thonë se Luani nuk është autor i vrasjes së vëllait të tij, kunatës dhe nipit. Por sipas tyre, ekzekutori është një person tjetër nga fisi Marra. 

“Familjarët kanë një të dyshuar, një kushëririn e tyre që e japin me emër dhe mbiemër dhe si motiv për ngjarjen. Për kushëririn dyshonin se kryefamiljari Shpëtim Marra i kishte prishur një fejesë të cilën ai donte ta kryente shumë muaj më parë duke thënë se ne kemi pasur një mblesëri të prishur më para dhe nuk ke si ta marrësh ti nusen në të njëjtën familje”, thotë Koka.

/tvklan.al