Shqipëria si vend nderi në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit IBT Berlin ka marrë vëmendjen e rrjetit të njohur televiziv paneuropian, Euronews

E prezantuar si një yll në ngjitje në turizëm, në emisionin Focus, Shqipëria vlerësohet për rritjen e ndjeshme të turistëve, teksa për ta foli Kryeministri Edi Rama.

“Erdha këtu sepse për ne është sikur skuadra kombëtare të marrë Kupën e Botës. Është një shpërblim i madh për suksesin tonë dhe gjithashtu shumë frymëzues”, tha Rama.

Në intervistë Rama jep edhe arsyet se pse duhet vizituar vendi ynë.

“Dua të them se në një vend prej 28 000 kilometrash katrorë gjen Mesdheun, gjen Evropën veriore, gjen Zvicrën, gjen Gjermaninë për nga natyra”, tha Rama.

Në Shqipëri gjendet gjithçka.

“Ne kemi nëntë lumenj, mes tyre Lumi i fundit i egër në Europë që është lumi i Vjosës ku shumë njerëz vijnë për rafting, sepse uji është bruz, është një ngjyrë shumë e veçantë e këtij lumi qe është krejtësisht i paprekur”, tha Mirela Kumbaro, ministre e Turizmit dhe Mjedisit.

Kryeministri Edi Rama përshkruan për Euronews edhe përpjekjet për zgjerimin e infrastrukturës duke ruajtur mbrojtjen e mjedisit. 

Ne po ndërtojmë resorte, po ndërtojmë hotele, por në të njëjtën kohë po rrisim zonat që janë nën mbrojtje”, tha Rama.

Nga një vend i izoluar në vitet ’90, Shqipëria është shndërruar në një destinacion me rritje të shpejtë turistike.

Tv Klan