Instituti i Teknologjisë Rochester do t’u mundësojë studentëve vijimin e studimet për teknologjinë në Shqipëri, por me standardet amerikane.

Kryeministri Rama theksoi se ky program dhe të tjerët në vijim me qeverinë amerikane janë një mundësi e shkëlqyer për studentët shqiptarë për të hyrë në tregun e punës në fushën e teknologjisë, ku kërkesa për profesionistë është në rritje.

“Më vjen jashtëzakonisht mirë që sot këtu e kremtojmë këtë moment të zyrtarizimit të këtij programi dhe faktikisht të hapjes së rrugës për aplikime për të nisur me studimet në Institutin e Teknologjisë të Universitetit këtu, në këtë kampus, duke filluar nga sezoni i ardhshëm akademik”, tha Edi Rama.  

Kryeministri ironizoi dhe akuzat e opozitës për projektet e fondacionit shqiptaro-amerikan.

“Në këtë program të ri ka një kontribut të posaçëm edhe fondacioni shqiptaro-amerikan. Në fakt ju e njihni si fondacioni që grabiti Butrintin se këto të tjerat nuk janë shumë publike, por besoj që keni dëgjuar që Butrinti është grabitur kështu që kur të shkoni në Sarandë për pushime mos shkoni më në Butrint se nuk është më aty. Janë marrë të gjithë gurët e vjetër, është ngritur në hava e gjithë zona dhe e kanë çuar diku që nuk dihet akoma se ku”, tha Rama.  

Në këtë linjë, sipas Ramës është edhe programi mes Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe Universitetit “Boku” në Vjenë, një tjetër institucion prestigjioz ndërkombëtar në fushën e arsimit të lartë.

Klan News