Arsimi profesional dominohet nga djemtë. Mbi 80 % e nxënësve në këtë arsim janë meshkuj.

“Shqipëria po nxjerr më shumë vajza të diplomuara, e kur bëhet fjalë për zanatet mbizotërohet nga djemtë. Sipas ekspertëve kjo vjen për disa arsye”, raporton gazetarja e Tv Klan, Erikleda Dorezi.

“Përgjithësisht mentaliteti në Shqipëri ka qenë që nxënësit më të dobët nga shkollat 9-vjeçare përqafojnë arsimin profesional për të marrë një zanat, si dhe studimet e tregojnë që përgjithësisht meshkujt janë më të dobët në rezultate nga shkollat 9-vjeçare, por dhe të mesme dhe rrjedhimisht përzgjedhin arsimin për të marrë një zanat. Lidhet edhe me mundësinë dhe ofertën e programeve të studimit që ofrojnë shkollat profesionale në Shqipëri, ku një pjesë e tyre lidhet me profile dhe zanate teknike që nuk preferohen nga vajzat. Dhe tjetër ka të bëjë me filozofinë e tregut, që kanë tendencën dhe prirjen më të madhe për të vazhduar një shkollë të lartë”, thotë Erion Muça, ekspert karriere dhe punësimi.

Por edhe kërkesa e lartë e tregut të punës për zanatçinj ka bërë që djemtë të kthejnë sytë drejt këtyre degëve.

“Ka qenë vitet e fundit zgjidhja për një punësim më të afërt dhe të sigurt dhe nevoja reale e tregut punës është për zanate dhe punë të thjeshtë”, shton Muça.

Të dhënat e Agjencisë së Punësimit dhe Aftësive tregojnë se shumica e kërkesave janë për punonjës pa diplomë, kryesisht në sektorin e shërbimeve dhe ndërtimit.

Klan News