‘Johnson & Johnson’ efikase kundër të gjitha formave të Covid

Ekspertët në mbarë botën vijojnë të mbeten të ndarë sa i përket çështjes nëse personat që e kalojnë Covid duhet të vaksinohen ose jo. Për Drejtorin e Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Dr. Anthony Fauci nuk është vërtetuar ende nëse personat që kanë kaluar koronavirusin kanë krijuar mbrojtjen e duhur nga riinfektimi. Ndaj ai thekson se ata duhet të vaksinohen.

“Ne aktualisht nuk kemi prova të mjaftueshme që provojnë të kundërtën. Nëse keni pasur Covid-19, përsëri duhet të vaksinoheni. Meqenëse riinfektimi është i pazakontë 90 ditë pas infektimit fillestar, mund ta shtyni vaksinimin deri në fund të asaj periudhe 90-ditore. Por vaksinimi duhet bërë,” tha Fauci.

Edhe Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit të SHBA-së, Francis Collins bëri të ditur se njerëzit që e marrin vaksinën kanë prirjen të kenë raste më të lehta, ndaj sugjeroi që edhe nëse prekesh nga sëmundja, është gjë e mirë ta bësh vaksinën.

Në frontin e vaksinave, firma kineze Sinovac tha se vaksina e saj CoronaVac është 100% efikase për parandalimin e hospitalizimeve dhe vdekjen e pacientëve nga Covid-19. Megjithatë provat klinike treguan se ka efikasitet më të dobët për të ndaluar infektimin.

Tani që në botë janë përhapur disa mutacione të koronavirusit, një prej vaksinave, ajo e Johnson & Johnson që ka vetëm një dozë rezulton 85% efikase kundër të gjitha formave të rënda të sëmundjes pas studimit, në Afrikën e Jugut, Amerikën Latine dhe Shtetet e Bashkuara.

Tv Klan