Edhe pse gjendja shëndetësore e Papa Françeskut mbetet kritike, selia e Vatikanit ka informuar për një tjetër natë të qetë.

Besimtarët dhe turistët në Sheshin e Shën Pjetrit shprehën shqetësimin për gjendjen e Papa Françeskut, i cili ndodhet në spital duke luftuar me pneumoni të dyfishtë.

“Papa kaloi një tjetër natë të qetë”, tha Vatikani në një deklaratë me një fjali. Ati i Shenjtë ka treguar një “përmirësim të lehtë”, duke shtuar se “insuficienca e lehtë e veshkave”, e raportuar për herë të parë në fundjavë, nuk ishte shkak për shqetësim.

Vatikani e ka përshkruar infeksionin e Papës si “kompleks”.

Ndërkaq, besimtarët u mblodhën në sheshin e Shën Pjetrit të hënën në mbrëmje për një shërbim lutjeje për Papa Françeskun. Mesha u drejtua nga kardinali Pietro Parolin.

Gjithashtu besimtarët u mblodhën edhe në Buenos Aires për një meshë të mbajtur për nder të Papa Françeskut. Në vendlindjen e tij, Argjentinë, shërbimi u drejtua nga Kryepeshkopi i Buenos Aires, Jorge Garcia Cueva dhe morën pjesë edhe disa peshkopë nga Kryepeshkopata e Buenos Aires dhe disa dioqeza.

Papa u shtrua në spitalin Gemelli të Romës më 14 Shkurt, pasi pati vështirësi në frymëmarrje për disa ditë, ku u trajtua fillimisht për bronkit përpara se të diagnostikohej me pneumoni të dyfishtë.

Klan News