Gjashtë burra u akuzuan në shtetin Miçigan të SHBA-së, pasi agjentët federalë thanë se kanë penguar një komplot për të rrëmbyer guvernatoren.
Komploti thuhet se u kurdis gjatë kohës kur guvernatorja Gretchen Whitmer ndërmori masa të mëdha kufizuese për frenimin e përhapjes së koronavirusit.
Departamenti i Drejtësisë tha përmes një deklarate se të dyshuarit kanë mbikëqyrur shtëpinë e pushimeve të saj dhe kanë planifikuar ta rrëmbejnë atë.
FBI citoi një nga burrat të ketë thënë se Whitmer “nuk ka kontroll dhe balancë fare. Ajo ka pushtet të pakontrolluar tani. Të gjitha gjërat e mira duhet të marrin fund”.
Të gjashtë burrat u akuzuan në gjykatën federale për komplot për rrëmbim. Secili përballet me burgim të përjetshëm nëse dënohet.
Veçmas, shtatë të tjerë, të lidhur me një grup paramilitar, u akuzuan në gjykatën e shtetit për përpjekje të pretenduara për të sulmuar Kongresin e Miçiganit dhe për të nisur “luftë civile”. Akuzat shtetërore bartin dënimin e mundshëm 20-vjeçar.
Sipas policisë së shtetit të Miçiganit, të dyja grupet u trajnuan së bashku dhe planifikuan “akte të ndryshme dhune” – një skemë kjo që funkisononte që nga qershori.
Departamenti i Drejtësisë tha se ka përdorur burime konfidenciale, agjentë të fshehtë dhe regjistrime klandestine për të zbuluar komplotin.
Autoritetet thanë se të dyshuarit ankoheshin për veprimet e Whitmerit, por nuk thanë nëse ata ishin të zemëruar për kufizimet që ajo ka vendosur për të kontrolluar përhapjen e koronavirusit, në pranverë.
Ligjvënësit republikanë dhe konservatorët në shtet janë ankuar për kufizimet dhe kongresi i shtetit ka qenë vend i shumë tubimeve në atë kohë.
Miçigani ka qenë një nga vatrat e hershme të koronavirusit në Shtetet e Bashkuara.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, mbi 145,000 njerëz janë infektuar atje dhe mbi 7,100 kanë vdekur.
Whitmer, demokrate që ka pasur disa shkëmbime me presidentin amerikan, Donald Trump, në mediat sociale, ia vuri një pjesë të fajit atij.
Ajo tha se dështimi i presidentit republikan për t’i dënuar fuqishëm grupet e bardha supremaciste, gjatë debatit të javës së kaluar me kundërshtarin e tij në zgjedhjet e nëntorit, Joe Biden, i ka “legjitimuar veprimet e tyre” dhe e ka bërë presidentin “bashkëpunëtor”.
Shtëpia e Bardhë tha se komentet e Whitmerit janë “të çuditshme”. Në ankesën penale nuk ka asnjë tregues se burrat e dyshuar janë frymëzuar nga presidenti Trump.
Prokurori i përgjithshëm i Detroitit, Matthew Schneider, u tha gazetarëve në një konferencë për media se njerëzit e Miçiganit mund të mos pajtohen me politikat, por “ato mospajtime nuk duhet të përbëjnë kurrë dhunë”. “Dhuna është parandaluar sot”, tha ai.
Pesë nga gjashtë të akuzuarit në komplotin e rrëmbimit u paraqitën në gjykatën federale në Grand Rapids të Miçiganit më 8 tetor. Ata kërkuan avokatë të caktuar nga gjykata dhe u kthyen në burg për të pritur seancat dëgjimore, javën e ardhshme./REL