Në Durrës, sezoni i ri turistik pritet të ketë një numër rekord turistësh, krahasuar me vitet e kaluara. Kërkesat e tur operatorëve për të sjellë grupe turistësh mbeten më të larta se kapacitetet e akomodimit që ofron aktualisht qyteti bregdetar.

Blerim Norja (Operator turistik): Këtë vit me hapjen e disa strukturave të reja, normalisht dhe numri i turistëve do jetë më i lartë sepse janë shtuar vendet e akomodimit. Aktualisht që flasim, Durrësi nuk arrin të plotësojë të gjitha kërkesat nga kompani të huaja për të sjellë turistë në Shqipëri.

Turistët e huaj i ndesh ngado në plazh por edhe në qytet, aty ku njihen me turizmin kulturor dhe arkeologjik. Në këtë moment, objektivi kryesor i sektorit të turizmit sipas operatorëve është zgjatja e sezonit dhe stabilizimi i fuqisë punëtore.

Blerim Norja (Operator turistik): Zgjatja e sezonit do ndikojë dhe në stabilizimin e fuqisë punëtore pasi ka qenë një problem i vazhdueshëm për qytetin e Durrësit. Por vitet e fundit po shihet si diçka stabël, për vendet e punës në turizëm.

Operatorët thonë se po punohet kryesisht për hapjen e tregjeve të reja të turizmit me francezët dhe anglezët, me të cilët janë nënshkruar kontratat e para. Ardhja e tyre do të sjellë një rritje të standardeve në sektorin e turizmit për t’ju përgjigjur kërkesave të vizitorëve nga këto dy vende.

Klan News