Mijëra njerëz u mblodhën rreth parlamentit grek, ndërsa ligjvënësit diskutuan një mocion mosbesimi kundër qeverisë për tragjedinë hekurdhore në Tempi.

Demonstruesit, duke përfshirë studentë, familje dhe punëtorë, mbajtën një moment heshtjeje përpara se të lëshonin fenerët prej letre në ajër në nder të personave që humbën jetën.

Në trotuar, qirinjtë formuan numrin ’57’, që është numri i viktimave nga tragjedia e rëndë.

Ndonëse protesta fillimisht nisi e qetë ajo më vonë u bë e dhunshme. Policia është përgjigjur me gaz lotsjellës për t’i shpërndarë protestuesit e dhunshëm.

Këtë javë protestat nuk do të ndalen pasi pritet të ketë të tjera. Ndërkohë, në parlamentin grek vijon dita e dytë e debatit për mocionin e mosbesimit të paraqitur të mërkurën nga partia opozitare Pasok.

“Duke qenë të vetëdijshëm për detyrën tonë ndaj shoqërisë dhe historisë dhe ndaj popullit grek… ne paraqesim një mocion mosbesimi ndaj qeverisë“, thuhet në dokumentin e nënshkruar nga 85 ligjvënës.

Votimi për mocionin e mosbesimit pritet të mbahet pasditen e së premtes. Me 156 vende në parlamentin 300-vendësh qeveria e Kryeministrt Mitsotakis, pritet t’i mbijetojë mocionit.

Qeveria e qendrës së djathtë e Kryeministrit Kyriakos Mitsotakis ka mohuar akuzat për fshehje të provave dhe mungesë përgjegjshmërie.

Pakënaqësia publike është rritur për shkak të mosveprimit të qeverisë së Kryeministrit Mitsotakis për të zbardhur ngarjen dhe për të vënë përpara drejtësisë fajtorët.

Klan News