Policia e Shtetit njoftoi se ka ekstraduar drejt vendit tonë Fatbardh Lalën, një ish-oficer i Policisë Gjyqësore që ishte në kërkim në Shqipëri.
Uniformat blu thanë se në koordinim me SPAK dhe Agjencinë federale DSS/OCIU, prezente në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, ka arritur ta lokalizojë dhe arrestojë në Shtetet e Bashkuara 56-vjeçarin e shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Ndaj tij ka një urdhër arresti nga Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për t’u përballur me akuzat dhe sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Ai akuzohet për korrupsion dhe nxjerrje të sekretit shtetëror.
“Shtetasi Fatbardh Lala u ekstradua rreth orës 15:00 të ditës së sotme. Ky operacion për lokalizimin, arrestimin dhe ekstradimin e këtij shtetasi ka ardhur si rezultat i përpjekjeve të përbashkëta disamujore, ndërmjet agjencive ligjzbatuese shqiptare dhe atyre amerikane”, njoftoi policia.
Lala u shpall në kërkim pasi duke punuar si OPGJ në Prokurorinë e Tiranës, arriti të bindë nënën e një të paraburgosuri që të jepte ryshfet 50 mijë Lekë, për të lehtësuar pozitat e të birit.
Ai mori përsipër dhe pranoi këtë shumë, duke premtuar se do të ndërhynte tek gjyqtari dhe prokurori të cilët kishin në ngarkim çështjen penale të Ermir Llagaçit.
Informacionet e siguruara në zyrat e Prokurorisë së Tiranës, Lala ia transmetoi nënës së Llagaçit nëpërmjet telefonit. Sipas SPAK, OPGJ-ja i rekomandoi gruas, se prokurorët duhen takuar.
Pavarësisht ryshfetit të dhënë nga i pandehuri, ai u dënua me burgim, por vepra penale konsiderohet e konsumuar.
Krahas shumës prej 50 mijë Lekësh, nëpërmjet nënës së tij, Ermir Llagaçi, i dha avokatit 300 mijë Lekë dhe gjysma e tyre do të jepej nga avokati gjyqtarëve të Apelit, të cilët ishin tre dhe secilit do t’i jepej shuma prej 50 mijë Lekësh./tvklan.al