Kryeministri i vendit Edi Rama dhe ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu kanë inspektuar punimet në Kampusin e Ri të Akademisë së Forcave së Armatosura.

Ky do të jetë një investim që do të ofrojë gjithçka bashkëkohore që nga godinat mësimore, konvikti, qendra shëndetësore, kinemaja, palestra, pishina e mbyllur, terrenet sportive dhe ato të stërvitjes ushtarake në natyrë, si poligonet, pista e vrapit, kulla e alpinizmit.

“Një investim i shtrirë në një hapësirë prej 10 hektarësh, konceptuar sipas modelit të akademisë prestigjioze amerikane të Ëest Point. I konsideruar sipas standardeve më të larta të NATO-s, Kampusi i Ri do të ofrojë gjithçka bashkëkohore që nga godina mësimore, konvikti, qendra shëndetësore, kinemaja, palestra, pishina e mbyllur, terrenet sportive dhe ato të stërvitjes ushtarake në natyrë, si poligonet, pista e vrapit, kulla e alpinizmit. Akademia e re do të ketë si fillim 300 studentë dhe degë të reja, përfshirë dhe inteligjencën artificiale, ku do të ketë diploma të përbashkëta me Universitetin Politeknik në degë të caktuara, por dhe binjakëzime me Akademitë e vendeve aleate të NATO-s”, thotë Rama.

Rama gjatë inspektimit në Kampusin e Ri të Akademisë së Forcave së Armatosura tha se me përfundimin e plotë të punimeve, Kampusi i ri do të jetë një pikë referimi për të gjithë ushtrinë. Kryeministri shprehet se Ministra e Mbrojtjes do të vendos një sërë asetesh në dispozicion të turizmit.

“Shumë mirë. Ky kampus shpresojmë të mbarojë në dy vitet e ardhshme komplet dhe të jetë një pikë referimi për të gjithë ushtrinë, se s’është puna vetëm e studentëve, po edhe e ushtarakëve që të jetë një kampus i standardeve më të larta, të kampuseve të NATO-s, pastaj mbase edhe avancimi i projektit që kemi për atë akademinë që duam të sjellim nga vendet aleatë, do jetë super pastaj dhe do të mund pastaj që ne të japim shërbime dhe për të tjerë që të sjellim të ardhura në buxhetin e Mbrojtjes. Plus me industrinë jemi duke ecur mirë dhe kemi vënë disa baza të mira për të ndërtuar një industri të re ushtarake, prodhimi e armatimi, kështu që… Dhe komponenti i tretë Ministra e Mbrojtjes në mbështetje të turizmit për të vendos një sërë asetesh në dispozicion të turizmit që Ministria e Mbrojtjes të mbajë një pjesë të pronësisë, duke marrë të ardhura”, u shpreh Kryeministri./tvklan.al