Me argumentet se nuk ekzistonte asnjë shkak i ligjshëm për të ushtruar kontrolle, familjarët e kryebashkiakut Erion Veliaj, kanë ankimuar vendimet e kontrolleve.
Ankimet janë dorëzuar në Gjykatën e Posaçme nëpërmjet avokatëve dhe pritet që kjo e fundit t’i marrë në shqyrtim.
Në 6 Dhjetor, BKH kreu kontrolle në biznesnin e bashkëshortes së Veliajt dhe i sekuestroi asaj telefonin, si dhe në banesën e të vëllait të tij.
Në një komunikim publik, kryebashkiaku tha se është i hapur dhe bashkëpunues me hetimet që të zbardhet e vërteta e sulmeve politike.
Çfarë deklaroi Erion Veliaj?
Në mëngjesin e 6 Dhjetorit bashkëshortja ime, e gjendur në shtëpi vetëm me djalin tonë, më telefonon pasi grupi i prokurorisë së posaçme kishte trokitur në derën e apartametit tonë. Natyrisht, ndamë pa asnjë ngurrim bindjen se duhet të ishim plotësisht transparentë me trokitësit tanë.
Pavarësisht se pa një vendim gjykate për të hyrë në shtëpi dhe plus një situate të pakëndshme për gjithë lagjen ku jetojmë prej 12 vjetësh, në një pallat të ndërtuar 15+ vjet më parë (poshtë të cilit ishin mbledhur me lajmërim, nga kushedi se kush, altoparlantët mediatikë, që ishin vendosur si dikur te radha e qumështit përpara se të arrinte vetë grupi hetimor), bashkëshortja ime është treguar plotësisht bashkëpunuese dhe transparente me grupin hetimor, për çdo kërkesë të tyre, madje i ka shoqëruar vetë, qoftë në zyrën e saj, qoftë në shtëpinë e prindërve.
Kjo është e gjithë ngjarja, e cila tregoi se as jetoj në vila të pajustifikuara, as kam apartamente të padeklaruara, si hienat dhe plot nga korbat që më sulmojnë nga dita e parë e kësaj detyre. Nuk kemi as llogari në Qipro apo kudoqoftë tjetër, dhe as transferta të majme dhe të padeklaruara për ndërhyrje estetike, si po këta që, kur i kap SPAK-u është Skap, ndërsa kur duan të linçojnë të tjerët në publik është SPAK.
Ah po, nuk kemi as para të padeklaruara dhe as taksa të papaguara nga të ardhurat tona, si shumë prej korbave të tyre.
/tvklan.al