Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj do qëndrojë në qeli gjatë hetimeve që SPAK po kryen ndaj tij për dyshimet se është përfshirë në korrupsion e pastrim parash.
Gjykata e Posaçme e Apelit konfirmoi këtë të enjte masën e caktuar nga Shkalla e Parë, duke vlerësuar njësoj mbi argumentet e SPAK se lënia në një masë më të butë do të rrezikonte hetimet e tjera.
Veliaj vetë dhe avokatët e tij, në dy seanca njëra pas tjetrës, kërkuan zëvendësimin e masës, duke vënë në alternativë edhe garancinë pasurore.
Avokati Maksim Haxhia, tha se nuk plotësohet asnjë kusht që Veliaj të qëndrojë në qeli.
“Zgjidhja e çështjeve me masa e arrestit për këdo është një absurditet në Shqipëri ndodh sidomos për vepra që nuk paraqesin këtë shkallë rrezikshmërie apo për vepra penale që nuk paraqesin shkallë rrezikshmërie”, tha ai.
Kryebashkiaku pritet t’i drejtohet Gjykatës së Lartë me rekurs kundër vendimeve që e lanë në burg.
Po këtë të enjte, Apeli rrëzoi një kërkesë të Ajola Xoxës, bashkëshortes së Erion Veliajt, për lirimin nga sekuestro të disa llogarive bankare më emrin e saj dhe kompanive që administron. Edhe këtë vendim, mbrojtja e konsideroi të padrejtë.
Apeli ndryshoi ndërkohë masën e sigurisë për biznesmenin Elman Abule, i cili është i dyshuar se është përfshirë në pastrim parash, duke e nxjerrë atë nga qelia në “Arrest në shtëpi”.
E pandryshuar ngeli masa e sigurisë detyrim për t’u paraqitur për 3 biznesmenët e tjerë, Meriman Palushi, Shkëlqim Fusha dhe Gentian Sula, të cilët janë nën hetime për dyshimet se kanë korruptuar kryebashkiakun e Tiranës.
Tv Klan