Me urdhër të SPAK, Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit ushtruan kontrolle në banesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, mëngjesin e kësaj të premte.

Këto janë edhe pamjet që vijnë nga ky kontroll, të filmuara nga një kamera amatore. Më vonë SPAK shpërndau një njoftim zyrtarë në të cilin sqaroi se ka kryer veprimet hetimore, në bazë të një procedimi penal të regjistruar, pa specifikuar emra dhe duke thënë se nuk mund të bënte të ditur më shumë detaje.

Në lidhje me kontrollin e ushtruar reagoi edhe kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili u kthye pas një vizite pune në Hamburg të Gjermanisë. Nëpërmjet postimit në rrjetet sociale Veliaj thekson se është i hapur dhe e mbështet në çdo hap SPAK.

Erion Veliaj: Duke marrë shkas nga zhvillimet e ditës së sotme, hapat procedurale të kryera nga prokuroria e posaçme në lidhje me hetimin pasuror që po kryhet ndaj meje dhe familjarëve të mi, jo vetëm janë të mirëpritura, por edhe i mbështes në çdo hap. U bë një kohë e gjatë që hetimin dhe gjykimin tim e bëjnë opozitarët e zhytur në llumin e korrupsionit dhe të “ashtuquajturat media”, që luftojnë çdo zyrtar e funksionar publik që nuk bie pre e presioneve dhe shantazheve të tyre për përfitime të padrejta.

Veliaj thekson se ai nuk i përket asaj klase politike që e cilëson veten të paprekshëm.

Erion Veliaj: Unë nuk bëj pjesë në atë kastë të vjetër politike që, për shumë kohë, e vendosën veten mbi ligjin, mbi drejtësinë dhe mbi llogaridhënien institucionale. Të gjithë këta që i kanë borxhe drejtësisë, rrokin flamurin e përkrahjes së drejtësisë kur në përputhje me ligjin dhe vendimet e gjykatave kryhen veprime procedurale në kuadër të hetimeve, dhe e sulmojnë atë me çdo mjet tashmë që drejtësia ka filluar të veprojë mbi ta, duke thyer kështu tabunë shumëvjeçare të mos ndëshkueshmërisë.

Kryebashkiaku i Tiranës duke përsëritur se do të jetë gjithmonë i hapur për çdo veprim dhe vendim të institucioneve të drejtësisë, shton njëkohësisht se përbuz me neveri çdo të pavërtetë, që ka si qëllim dëmtimin e imazhit të tij dhe familjarëve të tij, që përhapin, mbi të gjitha, disinformacione edhe mbi vetë punën e këtyre institucioneve.

Tv Klan