Federata do të analizojë përplasjen me Lukaku
Çështja mes Zlatan Ibrahimovic dhe Romelu Lukaku nuk është mbyllur ende përfundimisht. Mediat italiane raportojnë se komisionet juridike të Federatës italiane do të hetojnë mbi atë çka ndodhi mes futbollistëve.
Vendimet nuk do të vonojnë. Objekt i hetimit do të jetë video në fundin e pjesë së parë kur dy lojtarët u përplasën fizikisht dhe verbalisht me njëri tjetrin.
Do të shikohen me imtësi se çfarë kanë thënë Ibra dhe Lukaku. Më së shumti duket se rrezikon suedezi i Milan. Fraza mbi ritet “voodoo” me të cilën iu drejtua Lukakut mund të konsiderohet si sjellje diskriminuese me bazë racore.
Masa ndëshkuese është të paktën 10 javë pezullim. Ibra është dënuar nga komisioni i disiplinës me një ndeshje pezullim në kupën e Italisë për shkak të kartonit të kuq të marrë.
Ngritja e një komisioni hetimor për këtë çështje po vonon pasi në raportin e tij arbitri i ndeshjes Valeri nuk i ka cituar shprehjet ofenduese që lojtarët këmbyen me njëri tjetrin.
Tv Klan