Informaliteti i lartë ndër vite po reflekton pasojat edhe në skemën e pensioneve në Shqipëri. Të dhënat zyrtare nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore tregojnë se vitin e kaluar, 51% e pensionistëve përfituan pension të pjesshëm. Ekspertët thonë se efektet sapo kanë nisur të ndihen.
“Sapo ka filluar ndjesia e asaj se ç’do të thotë të kesh informalitet dhe një reformë e cila nuk është përmbushur në të gjitha masat e saj. Ajo që ndikon në gjithë këtë është ajo që u korr gjithë këto vite. Pra kemi një pjesë të punonjësve, të cilët nuk arrijnë dot të përmbushin vitet dhe natyrshëm u rezulton një nivel shumë i ulët pensioni. Nga ana tjetër, edhe pagat e ulëta ndikojnë në shumën e pensionit.”
“Çdo vit janë 2% më shumë pensionistë, të cilët nuk kanë plotësuar vitet e plota të punës për daljen në pension.”
Për këtë arsye, ekspertët rekomandojnë së pari luftën kundër informalitetit.
“Duhet të luftohet evazioni në sisitem që rrit numrin e kontributeve dhe nga tjetër të vihen në zbatim pensionet private që mund të krijojnë në të ardhmen një mundësi më shumë.”
Në vitin 2014, 28 për qind e pensionistëve merrnin pension të pjesshëm. Ekspertët thonë se mosplotësimi i kritereve për pension të plotë rrezikon të rrisë varfërinë në moshat e vjetra.
Tv Klan