Tirana po përjeton një tjetër sezon për t’u harruar. Pas 26 javësh, bardheblutë kanë 24 pikë të grumbulluara, me një mesatare më të ulët se një pikë për çdo 90 minuta. Ecuri thuajse e ngjashme me atë të vitit ku Tirana ra nga Superliga.
Kryeqytetasit njohin vetëm barazime, për të vendosur edhe një rekord të deritanishëm. Ndryshimet në pankinë nuk kanë sjellë frytet e duhura për një skuadër që deri tani ka shënuar 4 fitore, 14 barazime dhe 8 humbje.
Formë që e pozicionon në vendin e parafundit në Superligën shqiptare dhe të distancuar me dy pikë nga pozicioni i shpëtimit që mbahet nga Bylisi.
Pavarësisht ecurisë së dobët, Tirana ka ndër sulmet më efikase, me bardheblutë që kanë repartin e gjashtë më të mirë.
Tirana ka shënuar 28 gola ndërsa 32 janë pësuar. Në këtë aspekt më mirë se ta kanë bërë vetëm skuadrat e kreut, si Egnatia, Vllaznia, Dinamo, Partizani e Elbasani. Valid është golashënuesi më i mirë me 7 gola, ndërsa me 6 gola ka kontribuar Ndreca.
Derbi i kësaj fundjave ndaj Dinamos pritet të jetë tepër vendimtar për fatin e sezonit. Një fitore do t’i ndihmonte për të shpresuar mbijetesën, ndërsa një tjetër rezultat përpos 3 pikëve do të përkthehej në një problem të madh për ekipin e Bledi Shkëmbit.
Klan News